Home Kronike Kapja e gomones me kurdë në Itali, reagon Policia e Shtetit: Nuk ka asnjë provë të jenë nisur nga toka shqiptare

Kapja e gomones me kurdë në Itali, reagon Policia e Shtetit: Nuk ka asnjë provë të jenë nisur nga toka shqiptare

nga Albina Hoxhaj

Policia e Shtetit me anë të deklarate për mediat sqaron opinionin publik se në lidhje me lajmin që ka qarkulluar, sipas së cilit disa emigrantë kurdë e irakenë të kapur në Itali janë nisur nga Shqipëria, informacioni i publikuar është jo i saktë.

Sipas policisë, emigrantët e kapur në shtetin italian nuk janë nisur nga toka shqiptare, ndërsa dyshohet se migrantët kanë udhëtuar nga Turqia për në Greqi e më tej në Itali.

Policia e Shtetit – Sqarim për media

Në përgjigje të interesit të medias, lidhur me lajmin e kapjes së 33 migrantëve kurdë dhe irakianë në zonën e Salentos, Itali, Policia e Shtetit bën me dije se:

Nuk ka asnjë provë apo të dhënë që mjeti lundrues të jetë nisur nga toka shqiptare.

Gjithashtu, nuk ka asnjë komunikatë apo deklarim zyrtar të forcave policore italiane apo të ndonjë institucioni tjetër që mjeti me migrante të jetë nisur nga Shqipëria.

Sipas dyshimeve të para të autoriteteve italiane, nisur edhe nga shtetësia e migrantëve, dyshohet se ata mund të kenë udhëtuar nga Turqia, nëpërmjet Greqisë, për në Itali.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të luftuar dhe goditur çdo tentativë trafikimi të qenieve njerezore apo çdo paligjshmëri tjetër.

Policia e Shtetit, duke përfituar nga ky komunikim, i kërkon medias që ta kontaktojë për informacion zyrtar e të saktë, për të shmangur keqinformimin e publikut.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!