KARTOLINA IME PËR MJEKËT

Read Time:1 Minute, 55 Second

Nga Gentian Çala

Të nderuar kolegë!

Iku edhe një vit, rrogat i kemi si një dekadë më parë, kurse hallet e punës na shtohen çdo vit. Megjithatë ju nuk ankoheni, as kur ju harrojnë, as kur nuk keni me çfarë të bëni punën tuaj, as kur ju përbuzin, as kur nuk ju falenderojnë. Ju thjesht heshtni dhe vazhdoni punën, madje edhe kur të tjerët flejnë, edhe kur të tjerët festojnë. Dikush nga mjekët një vit më parë kishte shkruar se “nëse nuk jemi për çmimin Nobel, nuk jemi as maskarenj”. Po, krejtësisht e vërtetë! Ne ankohemi pak, se jemi kompleksuar nga ju që na konsideroni maskarenj të gjithëve, në mos të tillë, batakçinj, pa shpirt, që mendjen e kemi te lekët, a ku ta di unë se çfarë…ndaj ju kolegë, që në shumicë jeni për tu falenderuar, po merrni mbi vete baltën e pakicës që mund të jetë e tillë.

Por, unë e di se qindra prej jush i kanë kaluar çdo të tretën, të katërtën apo të pestën ditë pa gjumë, duke punuar natën në ndihmë të pacientëve. E di se keni punuar kohë pa kohë, orar pa orar, por ju prapë nuk ankoheni, se kjo është të marrësh përgjegjësinë e profesionit që keni zgjedhur. Ju keni vuajtur dhjetra herë në vit dhimbjen e dikujt, humbjen e pacientit, mjekimin e padobishëm, dështimin, operacionin e pafrytshëm, ashtu siç jeni gëzuar qindra herë në muaj kur ia keni dalë të shpëtoni jetë apo të shëroni dikë. Ju jetoni me suksesin dhe vuani dështimin, më shumë se kushdo, ndaj jeni të brishtë, madje më tepër nga sa e mendojnë të tjerët.

Uroj që të keni më shumë lumturi, më shumë falenderime, më shumë respekt, më tepër dinjitet, sepse e di që ju nuk do të vuani aq pagën e ulët, sa do të vuani mungesën e respektit dhe baltën e paarsyeshme. Ndaj ju uroj sukses në misionin tuaj, uroj të ketë më shumë mirëkuptim për sjelljen tuaj, për kufizimet dhe mundësitë tuaja. Uroj që njerëzit tu mirëkuptojnë dhe tu mbështesin. Uroj që të presin me durim se ata që ju ndihmoni janë shumica dërrmuese dhe ata që nuk ia dilni janë vetëm disa.

Suksese në punë, harmoni në familje dhe gëzofshi sa më shumë njerëz me mendjen, duart dhe shpirtin tuaj!
Gëzuar 2020!

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post E përjashtuan për probleme me pasurinë, Apeli urdhëron KLGJ-në: Emëro Demollarin si magjistrat
Next post Mori ryshfet 10 milionë euro nga kompania e naftës, dënóhet me 6 vite búrg ish-kryeministri kroat