KED i dërgon Kuvendit listën e kandidatëve për Inspektor i Lartë i Drejtësisë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në mbledhjen e sotme i ka dërguar Kuvendit listën e kandidatëve për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD). Në një njoftim për mediat bëhet me dije se KED ka dërguar listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, por pa bërë detaje se cilët janë emrat që do votohen nga deputetët. Po ashtu bëhet me dije se është dërguar dhe raportin e arsyetuar për renditjen e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, por sërish për publikun nuk janë bërë të ditura detajet.
NJOFTIM PËR MEDIAN
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 26.12.2019, në zbatim të pikës 4 të nenit 147/d dhe pikës 1 të nenit 149/d të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 199, shkronjës “ë” të pikës 2 të nenit 201, nenit 217, të pikës 5 të nenit 229dhe nenit 239 të ligjit nr. 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” , i ka përcjellë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të ushtruar kompetencën e zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë brenda 30 ditëve nga dorëzimi i akteve:
– Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të Lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë,
– Raportin e Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë,
– si edhe aktet përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi gjatë procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të lejuar për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.