Hije dyshimi mbi kreun e SPAK, pse kërkon dy prokurorët e ‘konsumuar’ në Prokurorinë e Posaçme, dosjet që mbetën në “rrugë” nga Mara e Prençi

Read Time:2 Minute, 36 Second

Ajo që po ndodh ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është një nga episodet më interesante, që hedh hije të forta dyshimi mbi punën që do të bëjë SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion). Drejtuesi i SPAK kërkon nga KLP që të marrë në SPAK përkohësisht për jo më shumë se një vit, prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, me argumentin se të dy janë njohës të dosjeve të vjetra, dhe se prokurorët e rinj të SPAK kanë një punë tejet voluminoze me dosjet që kanë në ngarkim. Mara dhe Prençi janë dy prokurorë të cilët më herët, KLP ua ka hequr shansin për t’u bërë pjesë e SPAK, pasi janë renditur me pikë më pak nga sa duhet, megjithëse e kanë kaluar Vettingun. Sot që flasim, SPAK është ngritur me 8 anëtarë, ndërkohë që 7 të tjerë që janë në listën e pikëzimit, presin vendimin e Vettingut nga KPA. E pakuptueshme është ngutja e Krajës për të marrë Marën dhe Prençin në SPAK, duke thyer kështu çdo rregull të funksionimit të këtij insitucioni. Logjika e do që edhe prokurorët e dosjeve të tjera që ka në dorë SPAK të hyjnë në këtë organ, pavarësisht se janë përjashtuar më herët, por me “shfajësimin” se janë njohës të mirë të dosjeve respektive.

Së dyti, siç ka raportuar edhe sot Dosja.al, në realitet Kraja kërkon që në SPAK, dy prokurorët të hetojnë dosjen e njohur si 339/1, ku po hetohen lidhjet e grupit të Avdylajve me politikanët e PS, përfshirë këtu edhe Vangjush Dakon. Por, realiteti tregon që të dy e kanë mbajtur nën hetim këtë dosje nga viti 2018 e deri më tani, dhe ende nuk ka asnjë përparim apo rezultat konkret. Kanë kaluar gati 2 vite që nuk ka asnjë të arrestuar apo ndaluar… Kush është garanti se kjo dosje do të hetohet po prej tyre, por edhe më mirë në SPAK? Të qenit pjesë e SPAK jep më shumë garanci për hetimin, për shkak të mbrojtjes që ofrohet dhe mandatit 9-vjeçar, por për prokurorët e komanduar (përkohshëm), nuk ka asnjë saktësim që ju jep të njëjtat të drejta me ligj. Së treti, nëse KLP nuk i ka renditur për SPAK, arsyeja është pikërisht karriera e tyre. Ata e kanë kaluar njëherë vlerësimin në KLP dhe kanë rezultuar si jo të denjë për prokurorinë e Posaçme. E nëse KLP i ka “djegur”, atëherë pse Kraja i kërkon ata me këmbëngulje në SPAK?

E për këtë ka vetëm një shpjegim… Arben Kraja kërkon të lajë duart me dosjen 339/1, por pa e cënuar imazhin e SPAK. Komandimi i dy prokurorëve që nuk mund të jenë anëtarë të SPAK asnjëherë dhe mbyllja e dosjes pa asnjë rezultat, mbyll edhe çështjen si një dështim, por që nuk prek Prokurorinë e Posaçme, por dy emrat Mara e Prençi. Në të kundërt, drejtuesi i SPAk do t’ja jepte çështjen dy prokurorëve të mandatuar nga SPAK, që kanë mbrojtje dhe mjete për të hetuar politikanët, e mbi të gjitha do të bashkonte dy dosjet, 184 dhe 339/1 për të adresuar problemin e blerjes së votave./dosja.al/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Prokuroria shpall mos-kompetencë për padinë e Metës ndaj Dvoranit, kreu i KED në ‘duart’ e SPAK
Next post 1 muaj nga tragjedia e tërmetit/ Forumi Rinor i PD kujton viktimat në Thumanë, banorët: Prokuroria të nisë hetimet