Bonusi i qirasë për qytetarët e prekur nga tërmeti,Voda: 50 milionë lekë për bashkinë Durrës

Read Time:2 Minute, 12 Second

 Qeveria ka lëvruar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit 270 milion lekë të reja për pagesën e strehimit në strukturat hoteliere të banorëve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, pagesë kjo e llogaritur për akomodim dhe ushqim.

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “Qeveria shqiptare ka arritur të përballojë me sukses këtë situatë të vështirë duke zgjidhur në  afatshkurtër dhe afatmesëm akomodimin e qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, por duke pasur edhe një plan investimi afatgjatë për pjesën e rindërtimit”.

Voda tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “në baze të kërkesave të bashkive për të akomoduar për një periudhë më afatgjatë qytetarët e tyre, nëpërmjet shpërndarjes se bonusit të strehimit janë akorduar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit 50 milionë lekë vetëm për këtë vit për bashkinë e Durrësit, 18.5 milion lekë për bashkinë e Vorës dhe 3.9 milion lekë për Kavajën dhe 1.7 milion lekë për bashkinë e Kamzës”.

Voda informoi se për vitin e ardhshëm parashikohet të ketë një fond në shumën 20 miliardë lekë të reja që do të shkojnë kryesisht për rindërtimin e objekteve.

“Vitin që vjen qeveria do të miratojë një fond edhe më të madh për të përballuar shpenzimet që rrjedhin nga zhdëmtimi që do t’u bëhet qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Parashikohet që për vitin 2020 të ketë një fond të tillë në shumën 20 miliardë lekë që do të shkojnë kryesisht për rindërtimin e objekteve totalisht të shkatërruara si dhe për mbulimin e shpenzimeve të tjera të nevojshme si: rikonstruksion, riparime apo bonus qiraje për vitin në vazhdim. Nga kjo shumë 13 miliardë lekë do të shkojnë direkt nga buxheti i shtetit tek ky fond dhe 7 miliardë lekë nga donacionet”.

Sipas saj, “deri tani, 15 milion euro janë dhënë donacion nga Komisioni Europian, 11 milion euro janë donacione nga biznese të ndryshme në platformën “Shqipëria Solidare” si dhe një pjesë janë donacione në natyrë siç është rasti i Turqisë që do të dhurojë 500 apartamente dhe ai i Serbisë me 100 apartamente. Të mos harrojmë po ashtu se, në janar do të zhvillohet edhe konferenca e donatorëve ku sigurisht do të këtë, besojmë edhe një vlerë më të lartë të donacioneve si nga vendet e Bashkimit Europian, nga organizata të ndryshme ndërkombëtare apo nga shtetet e tjera”.

“Qeveria shqiptare ka arritur të përballojë me sukses këtë situatë të vështirë duke zgjidhur në  afatshkurtër dhe afatmesëm akomodimin e qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, por duke pasur edhe një plan investimi afatgjatë për pjesën e rindërtimit”, -theksoi Voda për ATSH-në. /ata/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post KPK shqyrtoi në total 220 gjyqtarë e prokurorë, konfirmoi në detyrë 94 prej tyre
Next post Vasili: Mes Vuçiç dhe shqiptarëve, Edi Rama zgjodhi të parin!