Zgjedhjet Presidenciale në Kroaci, Milanoviç mposht Kitaroviç, fitues i raundit të parë

Read Time:1 Minute, 36 Second

Socialdemokrati Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë në zgjedhjet presidenciale të dielën në Kroaci para Kolinda Grabar-Kitaroviçit. Në janar kroatët vendosin në balotazh për presidenten apo presidentin e ri.

Socialdemokrati opozitar Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci të dielën (22.12) duke fituar afër 30% të votave pas numërimit të gati të gjitha votave, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor në Zagreb në orët e vona të natës. Presidentja aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç renditet e dyta. Kandidatja e partisë konservatore të djathtë, që qeveris aktualisht vendin, HDZ arriti vetëm 27% të votave. Për shkak se asnjëri nga kandidarët nuk ka arritur më shumë se 50% të votave në raundin e parë, më 5 janar pritet të zhvillohet balotazhi mes dy konkurrentëve, shkruan agjencia e lajmeve dpa.

Në shumicën e sondazheve, Kitaroviç kryesonte, por me një distancë të vogël kundrejt socialdemokratit, Milanoviç. Në vend të tretë u rendit kandidati i pavarur dhe i njohur si këngëtar, Miroslav Skoro me 24%.

Kitaroviç ende shpreson
Kreu i shtetit në Kroaci ka më shumë kompetenca ceremoniale përfaqësuese, megjithatë zgjedhjet konsiderohen si një tregues i fuqisë në elektorat të kampeve të majtë e të djathtë. Anëtarja më e re e BE-së, Kroacia merr kryesinë e radhës së BE më 1 janar. Në fushatën zgjedhore tema si drejtimi joefektiv i qeverisë dhe largimi masiv i njerëzve nga vendi luajtën një rol të madh. Grabar-Kitaroviç hyri në garë me avantazhin e presidentes.

Vëzhguesit janë të mendimit, se Grabar-Kitaroviç në balotazh mund t’ia dalë të rikonfirmohet edhe njëherë në postin e presidentes, për shkak se votuesit e kandidatit të tretë në renditje, Skoros, shihen si votues të spektrit konservator, që votën mund t’ia japin kandidates së partisë konservatore, HDZ. Kritikët e presidentes Grabar-Kitaroviç shprehen, se gjatë mandatit të parë, presidentja kroate u shfaq si një figurë e zbehtë dhe pa substancë politike./DW/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Prokurorët e SPAK nisin punën, marrin pjesë në seancat për ‘seleksionimin’ e dosjeve
Next post Perifrazon Bill Clinton, Vasili-Edi Ramës: Është Europa o budalla dhe jo minishengeni, është perëndimi o budalla dhe jo lindja