Atentati ndaj prokurorit në Vlorë, KLP: Akt kriminal e terrorist. Mbrojtje të posaçme për familjen e Kuliçit
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me anë të një deklarate për mediat ka reaguar për atentatin që iu bë prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçit
Në një reagim zyrtar, KLP shkruan se ky është një sulm i pastër kundër funksionit të tij dhe për ta është një sulm terrorist. Më tej këshilli shton se kër Albert Kluliçin dhe familjen e tij do të ketë mbrotje të veçantë.
Në fund i bën thirrje Kuliçit dhe çdo prokurori tjetër që të vijojnë punën e tyre me përkushtim dhe të godasin krimin pa anjë hezitim.
DEKLARATA E PLOTË
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes. Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.
Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit.
Një atentat ka ndodhur gjatë natës në Vlorë. Në orën 03:30 pas mesante ka shpërthyer makina e prokurorit Albert Kuliçi. Sipas informacioneve mësohet se nuk ka dëme në njerëz, por vetëm materiale. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar autorin e vendosjes së tritolit, i cili ka vepruar në 30 sekonda.