Wed. Apr 14th, 2021

Për dy ditë, qyteti i Tiranës do të jetë “shtëpia”, ku do të zhvillohet Samiti i Tretë për Minishengenin Ballkanik. Në këtë samit do të marrin pjesë Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë që Kosova njoftoi se nuk do t’i bashkohet këtij takimi.

Presidenti Hashim Thaçi e cilësoi këtë një “eksperiment rajonal”, të cilin Kosova refuzon ta njohë. Mbrëmjen e djeshme, kryeministri Edi Rama tha se Kosova del humbëse nga refuzimi i hyrjes në samit, pasi sipas tij, kjo tryezë njihet edhe nga SHBA e BE, që e nxjerr Kosovën si humbëse me këtë qasje politike. 

“Do të vijnë të gjithë, Kosovën përsëri e kam ftuar. Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA-ve Palmer më ka shkruar personalisht dhe më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona të posaçëm nga departamenti i Shtetit në mbështetje të këtij procesi. Do të vijnë nga Komisioni Europian por akoma nuk kemi një konfirmim, nga Banka Europiane. Do të vijnë të gjithë. Nuk ka gjë më të gabuar sesa Kosova që është fitimtare e luftës të kthehet në humbës, të izolohet e të kërkojë madje edhe nga ne që të izolohemi,”- tha Rama.

Ajo që bie në sy gjithashtu është edhe mungesa e liderit të Malit të Zi, Milo Dukanovic. Nga ana tjetër, aktivistët e Vetëvendosjes në Tiranë e kanë pritur me protesta ardhjen e Vuçiç. Me pankarta në duar, aktivistët shprehen kundër këtij Minishengeni, të cilin e konsiderojnë një përçarja nga ana e Serbisë.

Ky është takimi i tretë mes liderëve të rajonit. Samiti i Parë u zhvillua në Novo Sad ne Serbi dhe i dytë në Ohër. Jo më larg se sot, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se tryeza po përdoret si presion për BE-në.

error: Content is protected !!