Home Kronike Infermierja sheh tmerr me sy, humb vajzën

Infermierja sheh tmerr me sy, humb vajzën

nga Albina Hoxhaj

Infermierja sheh tmerr me sy, i vdes vajza në duar, në sallën e operacionit. Ishte e bindur se vajza e saj do ta kalojë procesin e lindjes me sukses si gjithë pacientet e tjera që i kalojnë nëpër duar. Prandaj vendosi që të futet në sallën e lindjes bashkë me të. Por infermierja nga Gjilani pa tmerrin me sy. Derisa po asistonte në lindjen e vajzës e cila solli në jetë djalin e dytë, ndodhi ajo që s’e priste. Vajza i vdiq nga gjakderdhja pas lindjes me operacion, ndërkaq nipi i shpëtoi.

E gjithë ngjarja e dhimbshme ndodhi të mërkurën e 11 shtatorit të këtij viti. E ndjera, 32-vjeçarja, ndërroi jetë në Spitalin e Gjilanit, pak pasi e lindi foshnjën e saj të gjinisë mashkull. Vdekja e pacientes, sipas mjekëve të spitalit ku ajo lindi, nuk ka ardhur si pasojë e neglizhencës por për shkak të disa komplikimeve shëndetësore të cilat iu shfaqën pasi që e kreu procesin e lindjes. Detaje për këtë rast të rëndë ka dhënë të premten për Express, drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu. Ai ka konfirmuar se vdekja e 32-vjeçares ka ndodhur si pasojë e një gjakderdhjeje që tashmë e ndjera kishte pasur pas lindjes.

Mjeku Hajrullahu ka hedhur poshtë dyshimet se në këtë rast ka pasur ndonjë neglizhencë të mjekëve. Ai ka deklaruar se mjekët e kanë kryer me përgjegjësi punën e tyre.

“Vdekja ka ardhur si pasojë e disa komplikimeve pas lindjes. Gjithçka ka qenë në rregull edhe sa u përket shërbimeve shëndetësore gjatë lindjes. Por komplikimet u shfaqën pas dhe përkundër angazhimit të stafit mjekësor pacientja ka ndërruar jetë”, ka thënë doktori.Ai u shpreh se e ndjera kishte pasur “Gjakderdhje dhe emboli-shkoku hemorragjik”.

Drejtori i spitalit u deklarua se familja e së ndjerës nuk ka pranuar që pacientes t’i bëhet obduksioni. E në sallën e lindjes kishte qëlluar me të bijën edhe nëna e tashmë së ndjerës, e cila është motër medicinale në spitalin e Gjilanit për më shumë se 30 vjet.

“Përkundër insistimit për obduksion, familjarët nuk kanë pranuar pasi që vetë nëna e saj ka qenë motër medicinale në spital për më shumë se 30 vjet”, sqaron drejtori i spitalit të Gjilanit.Ndërkohë, gjendja shëndetësore e foshnjës sipas mjekut është stabile.E ndjera kishte pasur lindjen e dytë. Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo la pas dy fëmijë, që të dy të gjinisë mashkullore.

Gazeta Ekspres

Lajme te ngjashme