BËRRRRRR…..

Read Time:2 Minute, 59 Second

Nga Gentian Çala

Duke dalë dje nga shtëpia e prindërve, nëna më jepte një këshillë te dera: “bir mos shkruaj më, se e miratuan ligjin”. Unë qesha dhe ika. Mendova se ky ishte qëllimi i ligjit të shpifjes, intimidimi i njerëzve dhe i fjalës së lirë. Më pas u kujtova se në një ditë, Parlamenti i gjymtuar me mercenarë dhe sejmenë, miratoi në një seancë ligjin kundër shprehjes, rrëzoi dekretin e Presidentit për Korporatën e Investimeve dhe shkarkoi Arben Malajn nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë. I gjithë ky ngut, u mbars mali dhe polli një mi. Mes këtyre ligjeve ishte futur edhe ai i rindërtimeve, më i rëndësishmi, por i mbetur në hije për shkak të sensibilitetit të lirisë së fjalës. Ky ishte qëllimi, që për temat e rëndësishme të diskutohet sa më pak dhe të eklipsohen nga të tjerat, të bëra me nxitim.
Komuniteti ndërkombëtar, kryesisht BE, pasoi me një deklaratë në të cilën shprehën kundërshtimin e tyre për ligjin e ashtuquajtur të shpifjes. Shumë fjalë, nëpër studio dhe një Kryeministër që ikën në Samitin e Vendeve të Europës Qëndrore dhe Jugore më shpresën për të sensibilizuar vendet e ndryshme për të mbledhur fonde për rindërtimin. Jeta vazhdon. Ashtu, si dhe liria e shprehjes, që nuk mund të ndalet nga një palo ligj i bërë nga një palo Parlament. Shumë zhurmë dhe pak punë, kjo ka qenë motoja e qeverisë, e cila na doli cullak në krizën e fundit, por vazhdon me pafytyrësinë e akteve politike, të cilat nuk zgjidhin asgjë dhe nuk i bëjnë derman kujt.
Viti i ri po troket, ku sipas disa të dhënave financat publike mund të jenë në vështirësi, por për këtë askush nuk flet nga ata që e kanë përgjegjësinë e qeverisjes, madje pohojnë të kundërtën: financat publike janë të shëndosha. Arka bosh është lajmi më i keq që mund të marrim në një fillimviti. Dikush mund të thotë se po përhap panik, por më mirë një panik i rremë sesa një e vërtetë që mund të krijojë një krizë sociale. Një gjë është e sigurtë se mbledhja e të ardhurave është larg projektimeve të tyre në fillimin e vitit. Entuziazmi i Kryeministrit për konferencën e donatorëve në janar, duket se ka të bëjë edhe me këtë. Te rindërtimi, ai po sheh mundësinë e mbushjes së arkës së shtetit, të shtetit të koncensioneve që ai ndërtoi. Bërrrrr…
Kriza politike, duket se është më shumë se kaq, është ekonomike, është sociale dhe e pamenaxhueshme nga kjo qeveri. Asgjë nuk mund ta zhbëjë. E vetmja mundësi duket se janë zgjedhjet e reja. Madje edhe nëse ndodh një rotacion politik, nuk do të jetë e lehtë mëkëmbja ekonomike, por disa gjëra mund të ndryshojnë. Kjo është agoni rilindase, e asistuar nga një fatkeqësi natyrore, që nuk mund të jetë më alibi heshtje për opozitën. Axhenda e qeveritarëve dhe e Ramës është e qartë, ajo nuk ka në fokus qytetarët, por pushtetin dhe interestat e tyre. Axhenda e opozitës apo e çdo shipirti kritik me qeverinë duhet të ketë në qendër qytetarët dhe daljen e vendit nga udhëkryqi i ekzistencës. Po, po, i ekzistencës, e vënë në diskutim nga bilanci negativ demografik dhe nga braktisja e përditshme e vendit.
Rindërtimi i vendit dhe rikthimi i shpresës, nuk fillon nga shtëpitë, por nga besimi në qeverisje dhe institucione, nga siguria e vendit dhe nga zgjimi i ekonomisë. Disa streha më shumë apo më pak, nuk do të mund ta bëjnë këtë vend të jetueshëm. Ato duhen bërë për të zgjidhur hallin e atyre që janë dëmtuar, por paralelisht duhet rimëkëmbur demokracia.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Tronditet Tirana, të shtëna me armë zjarri në Sauk
Next post Basha hap dyert e PD-së: Pres këdo që kundërshton Ramën, duhen zgjedhje sa më shpejt