A u qetësua toka? Sizmologu Dushi flet pas tragjedisë së 26 nëntorit: Energji e 90 viteve, lëkundjet mund të vazhdojnë

Read Time:3 Minute, 59 Second

Mëngjesi i 26 nëntorit do të mbahet mend gjatë në histori si një nga tërmetet dëmtues më të fuqishëm që ka prekur Shqipërinë. Ai la 51 viktima, ndërtesa të rrënuara dhe të shkatërruara por dhe panikun tek qytetarët.

Teksa vendi po përpiqet të marrë veten nga ajo tragjedi, ekspertët e fushës e cilësojnë atë një tërmet të fortë dëmtues, jo shkatërrues.

Sipas shpjegimit teknik të sizmologut Edmond Dushi shkaku i ndodhjes se termetit të 26 nëntorit është zhvendosja përgjatë planit aktiv të një thyerje tektonike që shtrihet me drejtim veriperëndimor, në rajonin e prekur, që paraprakisht mendohet të jetë e tipit të mbihipjes. Në një intervistë për tirananews.al ai thotë se më 26 nëntor u çlirua 80 % e energjisë së tokës të akumuluar në 90 vite. Krahasuar me atë të Shkodrës në 1979, prof. Dushi thotë se ky i fundit ka lëshuar një energji 5 herë më të vogël se ai i 40 viteve më parë dhe se efekti i tij ne siperfaqe ishte me i zbutur per shkak te thellesise se konsiderueshme vatrore.

Por a është qetësuar toka? Sipas sizmologut Dushi që shpjegon këtë proces është e natyrshme që procesi i qetësimit ndodh nëpërmjet transferimit të sforcimit në periferi të zonës aktive, dhe kjo ndodh në trajtën e mikrotërmeteve që quhen pasgoditjes, siç dhe ka ndodhur gjithë këtë periudhë në Shqipëri. “Kjo faze, e cila quhet post-sizmike, per arsyet e permendura me siper, mund te zgjase ne kohe”, thotë ai.

Dihet tashmë që Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik, dhe siç kemi përmendur në intervistat e mëparshme, kemi hyrë në fazën e këtij aktiviteti të lartë për gjatë viti 2019-2020. Si mund ta përcaktojmë tërmetin e 26 nëntorit, nisur dhe nga magnituda dhe intensiteti i lartë? Kishim të bënim me lëvizje pllakash që shtyhen, zhvendosen apo mbivendosen? Kush prej tyre është më i fuqishëm?

Tërmeti i 26 nëntorit manifeston pikërisht periudhën aktive në të cilën mendohet se ka hyrë rajoni, pra edhe vendi ynë. Ky tërmet me një magnitude sipas shkallës së momentit sizmik, M =6.4, klasifikohet si një tërmet i fortë, më i forti në 4 dekadat e fundit, që si rezultat i efektit që shkaktoi në sipërfaqe u karakterizua nga një intensitet 9 ballë në epiqendër, sipas shkalles MSK-64, që është edhe shkalla zyrtare në të cilën bazohet rajonizimi sizmik i Shqipërisë.

Shkaku i ndodhjes së këtij tërmeti është zhvendosja përgjatë planit aktiv të një thyerje tektonike që shtrihet me drejtim veriperëndimor, në rajonin e prekur, që paraprakisht mendohet të jetë e tipit të mbihipjes (ang. Thrust fault). Rajoni aktiv në veri-veriperendim të Durrësit, por edhe gjithe bregdeti Jonian-Adriatik-Dalmat, karakterizohet nga prania dhe veprimi i këtij tipi të thyerjeve aktive tektonike. Kjo lidhet me faktin që i gjithë ky rajon është i shtrirë përgjatë kontaktit tektonik frontal ndërmjet promotorit të pllakes Afrikane, mikro pllakës së Adrias, me pllakën e madhe Euroaziatike, pikërisht në buzinën perendimore të kësaj të fundit. Thyerjet tektonike të tipit mbihipës janë të njohura për akumulimin e energjisë së lartë sizmike dhe tërmetet e fortë që shkaktojnë globalisht.

Z. Dushi krahasuar me tërmetin e 15 prillit 1979 të Shkodrës, tërmetin e 26 nëntorit e quajmë dëmtues apo shkatërrues?

Krahasuar me tërmetin e 15 Prillit 1979, tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka çliruar një energji rreth 5 herë më të vogël dhe mund të klasifikohet te tërmetet e fortë dëmtues. Megjithatë, pavarësisht jetëve të humbura dhe dëmeve të konsiderueshme materiale, ekonomike e sociale, efekti i tij në sipërfaqe ishte më i zbutur për shkak të thellësisë së konsiderueshme vatrore, në më shumë se 35 km.

A mund të flasim për një periudhë relaksimi të tokës pas këtij tërmeti, duke qenë se pasgoditjes si pas çdo tërmeti të fuqishëm vijojnë.

Natyrisht që tërmeti kryesor i orëve të para të datës 26 nëntor, ka çliruar rreth 80% të energjisë së akumuluar në këtë rajon në më shumë se 90 vjet, por eshte e natyrshme për këtë dukuri që procesi i qetësimit nëpërmjet transferimit të sforcimit në periferi të zonës aktive, pra në distancë nga vatra kryesore, aty ku ka ndodhur edhe levizja më e madhe, të vazhdojë në trajtën e mikrotërmeteve të quajtura pasgoditje. Frekuenca e tyre, madhësia dhe kohëzgjatja e ndodhjes së tyre varet jo vetem nga energjia e akumuluar, shprehje e të cilës është magnituda e goditjes kryesore (6.4), por edhe nga kushtet gjeologo-tektonike lokale dhe tipi i thyerjes, pra mekanizmi i saj. Shpërndarja në hapësirë e epiqendrave të pasgoditjeve është tregues i qartë për transferimin e sforcimit, zonën e thyerjes tektonike aktive dhe tendencën e sistemit për të mbërritur në një ekuilibër të qëndrueshëm. Kjo fazë, e cila quhet post-sizmike, për arsyet e përmendura më sipër, mund të zgjasë në kohë.

Marrë nga Gazeta Dita

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Nora Malaj: Më mirë vonë sesa kurrë!
Next post Tronditet Tirana, të shtëna me armë zjarri në Sauk