Konviktet po shemben për koncesionin e kampusit

Read Time:2 Minute, 39 Second

Nga Klodian Tomorri

Fatkeqësitë dhe dhimbjet e shumicës janë mundësi përfitimi për një grusht njerëzish. Në shumë raste, ky është thelbi i fatkeqësive natyrore.

Kur cikloni Nargis goditi Mianmarin e qeverisur nga Junta ksenofobe, gjeneralët shpallën mijëra hektarë toka të fermerëve, si të infektuara dhe më pas i morën vetë. Në Neë Orleans, kompanitë e mëdha të ndërtimit shfrytëzuan uraganin Katrina për të nxjerrë të varfrit nga banesat publike, ku ngritën kullat gjigande. Në Tiranën e pas tërmetit po ndodh e njëjta gjë.

Në 8 dhjetor fadromat e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës zbarkuan në Qytetin Studenti për të prishur disa godinat e familjarëve me preteksin se janë dëmtuar nga tërmeti. Duke shfrytëzuar shokun psikologjik dhe tulatjen e qytetarëve nga tërmeti, ndërtesa e parë që u shemb përdhe ishte ajo me numër 15. E njohur ndryshe si godina e Lirisë, për shkak se aty u themelua Partia Demokratike dhe lindi pluralizimin politik në Shqipëri, ishte e para që u shemb përdhe.

Pas saj rruspat u vërsulën me radhë edhe tek dy godina të tjera, 18-a dhe 19-a. Në të treja godinat banojnë familjarë dhe pamjet e transmetuara nga media tregojnë se të paktën, në dy prej tyre tërmeti nuk kishte shkaktuar asnjë dëm, e jo më t’i kishte bërë ato të pabanueshme dhe të rrezikshme për qytetarët. Atëherë pse Bashkia dhe Qeveria nxituan për të shembur ndërtesat dhe për të nxjerrë jashtë familjet?
Përgjigja është e thjeshtë. Pas prishjes së godinave qëndron plani për një koncesion. Ai i kampusit Universitar. Për të njëjtën arsye në Kamëz, tritoli po shemb 10 ndërtesa familjarësh.

Në qeveri, vendimi është marrë sakaq. Kampusi i ri universitar do të ndërtohet me PPP, përmes një skeme që tashmë njihet. Fillimisht privati e ndërton me paratë e veta dhe më pas qeveria apo bashkia e shlyen me këste për disa vjet.

Kjo tashmë është pranuar edhe nga vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili dy ditë më parë deklaroi: Siç kemi bërë me projektin e shkollave, ku kemi filluar shkolla të reja me një skemë shumë kreative, që i bëjmë pagesat ndër vite, besoj që edhe në “Qytetin Studenti” do kemi mundësi t’i bëjmë pagesat ndër vite, teksa fillon një kampus i ri këtu dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që besoj nga kjo fatkeqësi del edhe një avantazh i jashtëzakonshëm, për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës

Koncesioni pritet të miratohet shumë shpejt. Fillimisht qeveria do të ngrejë një grup pune, që do të përgatisë modelin e kontratës dhe më pas do të vijohet me nënshkrimin e saj. Tani mbetet për t’u parë vetëm se cili është ndërtuesi i piketuar për kontratën e majme të Kampusit. Pas Kampusit, e kanë radhën edhe dy koncesione të tjera. Ai i Akademisë së Arteve dhe ai i Akademisë së Policisë.

Pas çdo dhimbjeje, mbin një koncesion dhe skema është gjithmonë e njëjtë. Del një projekt biznesi, i cili qytetarëve u propagandohet si shpëtimtar, por që në të vërtetë kanalizon fonde publike në llogari private, shpesh me procedura ekstraligjore. Dhe ky është aplikimi ekstrem i doktrinës së shokut dhe kapitalizmit të katastrofave. Arkitekti qëndron atje lart.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Nënkryetari i AMA-s: Shpikje e qeverisë, nuk gjendet në asnjë vend perëndimor
Next post Të martën Tirana pa drita, OSHEE: Ndërprerje energjie në disa zona të kryeqytetit