Betimi i gjyqtarëve të Kushtetueses, Manja: Në janar gati mekanizmi zhbllokues
Kuvendi do të miratojë në janar ndryshimet ligjore që lejojnë betimin me shkrim të gjyqtarëve, nëse Presidenti nuk i thërret për betim.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, thotë se Presidentit Meta i lihet 10 ditë kohë.
“Këto dy nisma në thelb nuk synojnë të zhbllokojnë konfliktin që është për momentin me Presidentin e Republikës, aspak nuk ka. Nuk ka këtë qëllim nisma. Nisma ka qëllim zgjidhjen e këtij problemi në rrafshin afatgjatë. Mundet të shihet forma e betimit të bërjes me shkrim. Do saktësohet procedura. Do shihet do jetë thjeshtë me nënshkrimin e anëtarit të emëruar apo shpallur të zgjedhur dhe njoftimin organit përkatës ose mund të jetë edhe një formë tjetër”, tha Manja gjatë një interviste televizive.
Manja shtoi se “për mandatin e Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllari do të vendosë Gjykata Kushtetuese, kur të kompozohet me numrin e plotë të anëtarëve të saj, është çështje që do ta zgjidh vetë Gjykata Kushtetuese”.
Një tjetër ndryshim që do miratojë mazhoranca është lejimi i KLGJ-së dhe KLP-së të procedojë gjyqtarët e prokurorët, derisa të ngrihet Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
“Pavarësisht se si do të merren ankesat nga gjyqtarë dhe prokurorët të caktuar do fillojë hetimin disiplinor dhe në rast se do të konkludohet se në veprimtarinë e një gjyqtari apo prokurori ka shkelje të një natyre që mund të çojë në pezullimin apo shkarkimin e tyre tua referojmë këshillave përkatës”, tha ai.