Burimet financiare të rindërtimit

Read Time:11 Minute, 49 Second

Rritja e borxhit, përdorimi i rezervës valutore, rialokimi i buxhetit, anulimi i kontratave PPP që nuk kanë nisur ende punë dhe donacionet po konsiderohen burimet e financimit për dëmet e krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit që përllogariten gati sa 10% e PBB-së kombëtare, sipas ekspertëve. Procesi i rindërtimit sipas planit të qeverisë do të shtrihet në disa faza, ku në të parën do të angazhohen gjithsej 200 milionë euro, fonde buxhetore dhe ndihma financiare nga dhuruesit. 

Blerina Hoxha

Përllogaritjet paraprake tregojnë së dëmet që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit në të gjithë vendin, tashmë i kanë kaluar 500 -600 milionë eurot, teksa mijëra banesa në zonat e prekura nuk e kanë kaluar vlerësimin teknik, çka do të thotë se fatura do të rritet frikshëm në ditët në vijim. Duke ia lënë kohës faturën e saktë, ekspertët dhe institucionet janë duke analizuar se si dhe nga mund të gjenerohen burimet financiare për të përballuar situatën e krijuar, sidomos në drejtim të emergjencës dhe rindërtimit. Ky proces do të shtrihet në disa faza, por në fazën e parë, financimet pritet të arrijnë një shumë prej 200 milionë eurosh, ku shumica pritet të jenë burime të brendshme nga buxheti i shtetit.

Qeveria është vënë në lëvizje në dy drejtime, donacionet që përfshijnë një fushatë me qytetarët dhe bizneset në portalin E-Albania dhe një sensibilizim mes donatorëve publikë dhe privatë në vendet e huaja. Nëpërmjet donatorëve Kryeministri Rama ka njoftuar se pret të grumbullojë në periudhën afatshkurtër 7 miliardë lekë, afërsisht 56 milionë euro, ndërsa 13 miliardë lekë (105 mln euro) do të rialokohen nga buxheti i vitit 2020. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili është caktuar koordinator kombëtar për procesin e rindërtimit njoftoi javën e kaluar se deficiti buxhetor në vitin 2020 shkon në 2.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga 1.6 për qind, që ishte programi. Për rrjedhojë borxhi i ri nga rreth 29 miliardë lekë që ishte programuar në vitin 2020 do të arrijë 39 miliardë lekë. Më këtë masë më shumë se 10 miliardë lekë ose gati 81 milionë euro do të merret borxhi i ri. Ndërsa, 3 miliardë lekë të tjera do të bëhen me rialokime në zërat e shpenzimeve të buxhetit 2020. Rreth 200 milionë euro do të jetë paketa fillestare e Paketës së Rindërtimit në një fazë të parë, e cila do të pasohet më tej.

Rindërtimi do të ndihmohet edhe nga shoqatat. Turqia është angazhuar të ndërtojë rreth 500 banesa dhe gjithashtu fondacioni Firdeus synon të ndërtojë në këtë kuotë, pasi ka grumbulluar sipas të dhënave më të fundit 5.1 milionë euro. “Fundjavë Ndryshe” ka grumbulluar 1.7 milionë euro. Gjithashtu gazetari Marin Mema ka grumbulluar 1.5 milionë euro. Këto fonde sipas informacioneve që vetë shoqatat kanë dhënë do të vet administrohen.

Ekspertët e ekonomisë sugjerojnë burime të reja se nga mund të krijohen fonde për përballimin e situatës. Një ndër këto burime për ish ministrin e Financave, Arben Malaj është anulimi i koncesioneve/ PPP.

Malaj thotë se ky është momenti që kontratat mund të prishen pa penalitete për arsye të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga forca madhore.

Qeveria ka kontraktuar dhe ka në plan të kontraktojë 219 miliardë lekë koncesione. Kjo shumë është e barabartë me 1.7 miliardë euro deri në vitin 2032. Kontratat koncesionare janë kundërshtuar dhe janë konsideruar të rrezikshme nga të gjithë partnerët financiare ndërkombëtare si FMN, BERZH, OBSH dhe BE. Fondi i programuar për kontratat koncesionare mund të financojë në vijim një borxh që qeveria mund ta marrë aktualisht për të nisur rindërtimin.

Eksperti Selami Xhepa thotë se, fondi i rindërtimit duhet të jetë të paktën në shumën e 250 milionë eurove, të cilat mund të vijnë nga burime të tilla si:

1)- nga rialokimet buxhetore duke reduktuar me 10% buxhetet e institucioneve publike prej nga ku mund të gjenerohet një fond prej rreth 50 milionë euro;

2) nga Banka e Shqipërisë fondi prej 87 milionë euro që sipas Xhepës mund të shtohet deri ne 100 milionë euro, edhe duke hequr një pjesëz të papërfillshme të rezervës valutore; dhe

3) një shtese e borxhit publik me 100 milionë euro.

Banka e Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht se në varësi të situatës nuk përjashtohet që një pjesë e Rezervës Valutore të përdoret për përmirësimin e situatës.

Faza e parë, buxheti i shtetit kontribuon 105 mln euro, 81 mln euro borxh

Procesi i rindërtimit të dëmeve të krijuara nga tërmeti do të shtrihet në disa faza përgjatë të cilave buxheti i shtetit do të kontribuojë nga të ardhurat e tatimpaguesve. Paketa e plotë e rindërtimit të vendit do të miratohet nga qeveria me 19 dhjetor, por ndërkohë qeveria ka njoftuar azhurnimin e buxhetit 2020 me situatën. Fondet buxhetore të fazës së parë nuk do të prekin shpenzimet e planifikuara dhe as nuk do të ketë të ardhura shtesë. Qeveria ka menduar që faza e para e rindërtimit të financohet në pjesën më të madhe të saj më borxh, duke rritur madhësinë e deficitit buxhetor të programuar për vitin që vjen me gati një të tretën. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se deficiti buxhetor vitin që vjen shkon në 2.2 % nga 1.6 % e PBB-së, që ishte parashikuar duke e çuar masën e borxhit të ri, nga rreth 29 miliardë lekë, që është aktualisht, në rreth 39 miliardë lekë. Deficiti i ri pritet të financohet nga tregu i brendshëm nëpërmjet obligacioneve dhe bonove të thesarit. Ndërsa 3 miliardë lekë ose 24 milionë euro do të jenë rialokime të shpenzimeve të tjera buxhetore.

Buxheti i vitit 2020 parashikon shpenzime në masën e 519 miliardë lekëve ose 4,2 miliardë euro. Mirëpo edhe pa efektin e tërmetit buxheti i vitit 2020 po vuante parashikimet jorealiste dhe një barrë detyrimesh të prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publike të cilat sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit i kalojnë të 500 milionë eurot.

Janë disa zëra buxhetore që qeveria mund të riaalokojë sipas nevojave. Për investimet publike janë llogaritur të shpenzohen vitin që vjen rreth 83 miliardë lekë shumë kjo e barabartë me 670 milionë euro. Rialokimi me 100 milionë euro i këtij zëri do t’i shërbente fondit të rindërtimit. Eksperti Selami Xhepa tha se, nga rialokimet buxhetore duke reduktuar me 10% buxhetet e institucioneve publike prej nga ku mund të gjenerohet një fond prej rreth 50 milionë eurosh.

Buxheti 2020, sipas eksperteve, vitin që vjen ka vend për kursime në zërin e shpenzimeve operative dhe mirëmbajtjes, pasi janë programuar më shumë se 50 miliardë lekë ose 2.6% për qind e PBB-së. Një përqindje e këtij zëri të madh buxhetor, i cili në një pjesë të tij shkon për orendi dhe pajisje zyrash mund të rifokusohet në procesin e rindërtimit. Gjithashtu pushteti lokal mund të futet në masa shtrënguese të financimeve nga buxheti për shkak se stafet e bashkive janë të mbingarkuara me punonjës, të cilët duhet të shkurtoheshin qysh nga reforma territoriale e vitit 2015.

Kreu i qeverisë Edi Rama tha se fondi për të përballur rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit është zë i veçantë në buxhetin e shtetit që nuk prek asnjë nga parametrat e tjerë të buxhetit vjetor. Duke qene një fond me program të posaçëm më vete, shefi i mazhorancës tha se kjo garanton transparencë. Në këtë fond do të rakordohen me njëra-tjetrën si pjesa e veçante në buxhet ashtu edhe donacionet e dhëna për rindërtimin e vendit, dhe nëse do të shihet nevoja do të shtohet fond në çdo rishikim buxheti edhe gjatë 2020.

Eksperti Arben Malaj tha se para se të kërkohet financimi duhet të dihen kostot, ato direkte dhe indirekte. Malaj tha se kostot nga dëmtimet në institucionet dhe infrastrukturën publike, duhet t’i grupojmë në kosto të emergjencave humanitare, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Malaj tha se identifikimi i burimeve financiare potenciale duhet të synojë kontribuues në financimin e kostove respektive.

Psh, për ato të emergjencës janë ndihmat materiale të solidaritetit. Kostot humanitare si, ushqimi dhe strehimi kërkojnë burime financimi afat shkurtra, ku mund të angazhohet dhe mbështetja buxhetore për solidaritet social, siç janë qiratë një vjeçare te paguara nga bashkitë apo qeveritë.

Faza e parë, donatorët e qeverisë 57 milionë euro

Faza e parë e rindërtimit përveç 13 miliardë lekëve që janë fonde buxhetore do të angazhojë edhe 7 miliardë lekë donacione, të cilat janë kontribut i qeverive të dhe organizatave të huaja dhe bizneseve vendase, ka pohuar Kryeministri në mbledhjen e jashtëzakonshme të ditës së enjte me 5 dhjetor. Deri më tani kontribuuesi më i madh është BE me 15 milionë euro që do të angazhohen në fazën e parë, ndërsa disa kompani të mëdha vendase kontribuuan me më shumë 1 milionë euro secila. Ndërkohë priten fushata të tjera angazhimesh nga donatorët dhe bankat e huaja të cilat do të kontribuojnë për fazat e tjera të rindërtimit.

A mund të përdoret Rezerva Valutore 

Eksperti Selami Xhepa tha se përdorimi i rreth 100 milionë eurove nga rezerva valutore e vendit nuk e cenon madhësinë e saj. Në fund të vitit 2018 rezerva valutore e vendit arriti gati 3.4 miliardë euro, duke u rritur gjatë vitit me 401 milionë euro, raportoi Banka e Shqipërisë.

Në një shpjegim të posaçëm për Monitor, burimet zyrtare në BSH thanë se, kuadri ligjor në fuqi, Kushtetuta dhe Ligji Për Bankën e Shqipërisë, i jep të drejtë Bankës së Shqipërisë të disponojë dhe të administrojë rezervën valutore të vendit.

Në një përkufizim të përgjithshëm, Ligji Për Bankën e Shqipërisë përcakton se qëllimet e rezervës valutore janë mbështetja e politikës monetare dhe e asaj të kursit të këmbimit, si dhe sigurimi i aftësisë paguese të vendit për detyrime që ka me palë të huaja.

Por Banka e Shqipërisë pohoi se do të monitorojë në vazhdimësi nëse ekzistojnë premisat e nevojshme dhe të arsyeshme për përdorimin e rezervës valutore.

Rezerva valutore e vendit aktualisht është e aftë për të përballuar 7 muaj importe, teksa kufiri i përcaktuar edhe në marrëveshjen me FMN është të financojë 4 muaj importe.

Rreth 84% e portofolit të rezervës valutore rezulton e investuar me emra me renditje të cilësisë së lartë (klasa AAA dhe AA, duke përfshirë edhe ekspozimet në llogari rrjedhëse),ndjekur nga institucione shumëpalëshe (8.1%), banka/institucione të tjera financiare (10.1%), agjenci (4.5%), institucione të garantuara nga qeveritë (0.8%) dhe autoritete qeveritare/organe publike (0.2%).

Koncesionet PPP një burim i madh financimi 1.7 mld euro

Në katër vitet e fundit qeveria po përdor instrumentet e koncesioneve PPP, nëpërmjet të cilave disa kompani private ofrojnë shërbime dhe investime publike me fondet buxhetore.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave për buxhetin 2020 janë të nënshkruara dhe në proces nënshkrimi 13 kontratat me PPP me vlerë 2019 miliardë lekë ose më shumë se 1.7 miliardë euro. Sapo ndodhi tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit, ekspertët njëzëri kanë pohuar se duhen anuluar kontratat koncensionare. Vetëm në buxhetin e vitit 2020 qeveria do të financojë 120 milionë euro për kontratat PPP.

Ish ministri i Financave, Arben Malaj tha se anulimi i kontratave koncesionare është një mjet për të rialokuar disa shpenzime buxhetore. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme kontratat prishen pa penalitete, sidomos ato që nuk kanë filluar tha ish-Ministri.

Qeveria dha prova më herët këtë vit, duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratën e koncensionit me PPP për ndërtimin e aksit, Thumanë-Kashar me qëllim devijimin e fondeve për të financuar arsimin e lartë.

Nga këto koncesione ekspertët pohojnë se disa nuk përbejnë as prioritet dhe kanë shkallë të lartë kostosh. Për shembull shërbimi shëndetësor laboratorik ofrohet në Shqipëri me kosto normale nga privatet pa llogaritur shtetin. Ndërkohë qe qeveria sapo ka dhënë këtë vit me koncesion shërbimin laboratorik me kosto së paku tre herë më të larta se sa e ofroi vetë, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë e kundërshtoi këtë politikë.

Në të njëjtën situatë është edhe kontrata e koncesionit të sterilizimit, e cila për shkak të defekteve të saj ka kaluar kostot e parashikuara në kontratë me rreth 4 milionë euro vitin e kaluar dhe po kaq këtë vit.

Gjithashtu Rruga Milot-Balldren, pjesë e autostradës Adriatiko- Joniane që mund të financohet me fonde të huaja, mund të anulohet, pohojnë ekspertet e ekonomisë. Kontrata e cila tashmë është nënshkruar, por ende nuk kanë nisur punimet PPP do të kushtojë më shumë se 270 milionë euro për 17 kilometër. Gjithashtu koncesionet për inceneratorët, të cilët po marrin para përtej kuotave të punimeve, mund të jenë pjesë e rishikimit sugjerojnë ekspertët.

Shoqatat jo qeveritare arrijnë fondin 10 mln euro

Tre organizata e mëdha jo qeveritare, fondacioni “Firdeus” i drejtuar nga Elvis Naci, “Fundjavë Ndryshe” e drejtuar nga Arbër Hajdari dhe Gazetari Marin Mema me “Rrënjët Shqiptare” kanë grumbulluar të gjithë së bashku gati 10 milionë euro.

Shoqatat, të cilat po i bëjnë transparentë fondet në kohë reale, pohojnë se do t’i administrojnë vetë, duke u koordinuar me shtabet e emergjencës së qeverisë. Agim Baçi një nga themeluesit dhe anëtar i Bordit të Fundjavës ndryshe pohoi se, fondi prej 1.7 milionë eurosh i grumbulluar deri më tani do të përdoret për të ndihmuar shtresat më të varfra në zonat e prekura. Fundjava do të ruajë të njëjtin profil si më parë duke ndihmuar në tre drejtime kryesore, si asistencë mjekësore për të varfrit, ndihma ushqimore dhe strehim. Baçi tha se, tashmë Fundjava ka një përvojë të admirueshme në këtë drejtim më stafe të afta administrimi dhe inxhinierë të kualifikuar për të ndërtuar shtëpitë. Ai tha se asnjë nga 360 banesat e ndërtuara më parë nga Fundjava nuk është dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit.

Ndërsa zoti Naçi me fondacionin Firdeus,i cili ka grumbulluar deri më tani mbi 5 milionë euro ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpive të dëmtuara në zonën e Thumanës. Sipas deklaratave publike të zotit Naçi fondet do të administrohen nga fondacioni në koordinim me qeverinë.

Gazetari Mema nga Top Channel i cili ka grumbulluar deri më tani gati 1.6 milionë euro ka pohuar publikisht se, për shkak të përgjegjësisë publike fondet e dhuruara do të përdoren në mënyrë të pavarur, por në koordinim me Komitetin e rindërtimit./monitor/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Hajde tallim b*thën”, sot ministër fuqiplotë, por ja çfarë mendonte Arben Ahmetaj për popullin para së të merrte pushtetin
Next post SHBA-ja dhe Kina pajtohen për “fazën e parë” të marrëveshjes tregtare