Home Politike A është prishur marrëdhënia e Ramës me Cakajn? Pse Kryeministri emëroi të besuarin e tij zv.ministër të Jashtëm?

A është prishur marrëdhënia e Ramës me Cakajn? Pse Kryeministri emëroi të besuarin e tij zv.ministër të Jashtëm?

nga Albina Hoxhaj

Kryeministri Edi Rama duket se po shkon drejt goditjes finale ndaj ministrit të Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj. Shefi i qeverisë ka marrë vendim për të emëruar një zv.ministër të tretë në Ministrinë e Jashtme, e cila “de juro” drejtohet nga Rama, por që ja ka deleguar kompetencat Cakajt.

Agron Tare do të jetë zëvendës-ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë, që do e mbajë këtë post, bashkë me Sokol Dedjan dhe Etjen Xhafajn, që janë dy zv/ministrat e tjerë  të Jashtëm dhe Gent Cakajn, që është ministër në detyrë

Por pse kjo lëvizje e Ramës?

Ministri “de fakto” Gent Cakaj, të cilin Rama e prezantoi si gjeni, prej kohësh është zhveshur nga daljet publike, duke mos shërbyer më si imazh i parë i MEPJ. Kryeministri Edi Rama ka shmangur thuajse të gjitha daljet publike me të komanduarin e tij, moment që kulmoi në marrjen e presidencës së OSBE.

Gent Cakaj, në ditën historike për Shqipërinë, nuk figuronte fare në videot e publikuara nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, po ashtu, një ditë pas vendimit negativ për negociatat, Cakaj qëndroi vetëm si aksesor gjatë konferencës së Ramës, pasi nuk tha asnjë fjalë të vetme.

Nuk dihet me siguri se çfarë ka ndodhur mes tyre, por dështimi me çeljen e negociatave mund të jetë një arsye e prishjes së marrëdhënies Rama-Cakaj dhe kryeministrit i duhet një njeri i besuar dhe që e kontrollon.

Kush është zvministri i ri?

Sa i përket Agron Tares, zv/ministri i ri ka një karrierë të konsiderueshme në diplomaci dhe është një njeri i besuar i Edi Ramës. Në vitin 2000, ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, për t’u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, Tare ka qenë këshilltar i Jashtëm në bashkinë e Tiranës, kur ky institucion drejtohej nga Edi Rama.

Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i Grupit Negociator mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, ndërsa  në vitet 2014 – 2019 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll.

Deri në tetor të këtij viti, Tare ishte drejtor i Portit të Durrësit. Siç duket, shefi i qeverisë e ka humbur besimin tek Cakaj, për të cilin luftoi aq shumë me Ilir Metën, pasi presidenti refuzoi ta dekretojë si ministër. A po shkohet drejt një ministri fuqiplotë dhe me dekret?/shqip/

Lajme te ngjashme