Home Politike Një arsye lemeritëse përse duhen ribërë zgjedhjet lokale

Një arsye lemeritëse përse duhen ribërë zgjedhjet lokale

nga Albina Hoxhaj

Nga Enton Palushi 

Gazeta gjermane, Tageszeitung, në një shkrim për rrezikun që i kanoset lirisë së medias në Shqipëri nga nismat e qeverisë shqiptare, thotë se Edi Ramën e njohin në Gjermani si kryebashkiakun e majtë, duke iu referuar historisë së pallateve ngjyra-ngjyra që e bënë të famshëm në Europë.

Në fakt edhe po ta quash sërish Edi Ramën kryebashkiak, nuk bën ndonjë gabim të madh. Thellë-thellë, edhe pse ka qenë kryeministër, gjatë kësaj kohe ai është sjellë më shumë si një kryebashkiak i madh i Shqipërisë.

Projekti që ka pasur më për zemër deri së fundmi ishte ai i Rilindjes Urbane. Madje ishte lehtësisht e lexueshme se pas dështimeve në çdo fushë, besimin e vetëm se mund të linte gjurmë ndonjëherë pas largimit nga politika, e kishte tek ajo që po bënte në qytetet kryesore shqiptare.

Veliaj, Sejdini, Dako, Leli e të tjerë ishin thjesht ushtarët e një modeli kriminalo-korruptiv që në majë kishte një krye-kryebashkiak. E gjithë kjo ëndërr u shemb në mënyrë brutale më 26 nëntor, kur qytetet më të mëdha në vend u plandosën përdhe duke marrë jetë njerëzish. Krenaria e Edi Ramës u shemb.

Modeli i tij u rrënua, ashtu siç ishte paralajmëruar prej kohësh se një strukturë e tillë nuk kishte as kolona dhe as trarë. Korrupsioni u provua se nuk është vetëm shkatërrimtar për ekonominë, por edhe vrastar.

***

Teksa rrënimi po godiste vendin, një sizmiologe e njohur amerikane, Kasey Aderhold risillte me shpejtësi në kujtesën e lexuesve një shkrim të shekullit të 13-të për tërmetin shkatërrimtar të Durrësit. Pjesë e nënvizuar prej saj ishte ajo ku tregohej se si njerëzit ishin më të sigurt nëse rrinin brenda godinave sesa jashtë tyre.

E vë me bast se shumica prej jush janë terrorizuar edhe kur kanë dalë më 26 nëntor jashtë, nga ideja se pallatet mund t’u binin sipër.

Po ashtu, njësoj si unë, mund të keni vënë re me dëshpërim se teksa pallatet mund të rrëzohen si me efekt domino, të tjera gropa po hapen për ndërtime të reja aty pranë. Natyrisht nuk keni pasur kohë të pyesni, por askush nuk di t’ju japë asnjë përgjigje se përse po ndërtohet sërish. Sepse nuk ka asnjë plan për qytetin, asnjë projekt konkret, vetëm shumëkatëshe që ngulen nëpër tokë kudo që gjendet një hapësirë bosh.

E dini se cila ishte pyetja e parë që bëri profesori grek Panagiotis Karydis, kur pa masakrën me ndërtimet? ‘Përse keni bërë ndërtesa kaq të larta në hapësira kaq të ngushta’, dhe përgjigjia që mori është ajo që na e kanë shitur si një gjetje: Për të shfrytëzuar hapësirën. Me fjalë të tjera, për shkak se tokë nuk ka, por ajër ka. Ose e përkthyer në gjuhën shqiptare, për ta bërë më të shtrenjtë produktin. Sepse kur produkti është i shtrenjtë, edhe korrupsioni është më i shtrenjtë.

A e dini po ashtu se çfarë paradoksi theksonte revista Monitor?

Që dendësia në Tiranë po rritet, ndërkohë që shqiptarët po largohen. Të gjithë po mblidhemi aty, në një lëmsh të madh godinash, kaosi, betoni, zhurme, trafiku, por mbi të gjitha ndotjeje. Studim pas studimi po tregojnë se ndotja e ajrit ndikon në çdo aspekt të shëndetit tonë, duke nisur që nga ankthi e stresi e deri tek sëmundjet kancerogjene. Mirëpo kur jeni në spital, zor se ankoheni ndonjëherë se e keni prej Edi Ramës apo prej Erion Veliajt. Me Zotin do kapeni. Siç keni bërë me tërmetin, pa harruar se shumë gjëra janë në dorë të njerëzve.

***

Parlamenti më i fuqishëm në Europë, Bundestagu gjerman ka miratuar një rezolutë ku kërkon që të sqarohet legjitimiteti i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Ky është një sinjal diplomatik për të thënë se nuk ishin zgjedhje të ligjshme. Ato zgjedhje duhen ribërë për shkak se ishin një goditje fatale për demokracinë. Por një arsye më lemeritëse vjen pas këtij tërmeti tragjik.

Ato zgjedhje duhen ribërë për të shkulur të keqen e madhe, e cila e nisi jetën me korrupsionin e lejeve të ndërtimit dhe e vazhdoi me të tjera krime të rënda. E keqja që ka kapur për fyti vendin është rritur në pushtetin lokal të socialistëve dhe ka dalë prej andej që të rrënojë edhe pushtetin qendror. Mos mendoni se është një rastësi që emrat e kryebashkiakëve dalin në përgjimet për shkatërrimin e zgjedhjeve parlamentare.

Ndaj zgjedhjet lokale duhen ribërë për të rithemeluar pushtetin vendor nga e para, me njerëz që e duan dhe mendojnë për qytetin. Na duhet një operacion preciz për të shkulur këtë të keqe korruptive që e nxorri kokën në formën më të dhunshme, duke marrë jetë njerëzish. Nëse nuk nxjerrim mësim nga kjo situatë, atëherë më kot i ngrini sytë lart nga qielli kur të godasin fatkeqësitë e tjera. Siç thotë Dom Gjergj Meta, ‘shkatërrimi dhe dhuna nuk janë gjuhë e Zotit’.

Lajme te ngjashme