Presidenti Ilir Meta është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë deklarime lidhur me padinë e depozituar prej tij, për kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Teksa ka dalë jashtë prokurorisë ku u pyet për gati 60 minuta nga prokurori Alket Mersini, Meta tha se sapo të shkoj në zyrë, do të autorizojë zëdhënësin e tij, Tedi Blushi që të publikojë ‘spotin‘ e parë për Dvoranin, që më herët kreu i shtetit e ka quajtur “video përvëluese”.

“Nuk mund të largohesha pa respektuar vëmendjen tuaj, me pak fjalë mund t’i them se jam këtu në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, pas kallëzimit që kam bërë për shtetasin Ardian Dvoanin, për dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës,  vepra që janë bërë me dashje nga ana e tij. Kemi vënë provat dhe dokumentet së bashku kallëzimin penal. Rasti është tmerrësisht flagrant, shpresoj që Prokuroria të bëjë punën dhe të mos jetë nën presionin politik. Kushtetuta e thotë shumë qartë, që është Kushtetuta pika më e lartë. Lidhur me këtë çështje, që bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, sepse garanton të drejtat kushtetuese të qytetarëve, në këtë drejtim dua t;u siguroj shqiptarëve se Meta ka ecur sipas ligjit. Të gjitha provat e depozituara deri më tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj shtetasit Ardian Dvorani. Prokuroria ka pasur edhe çështje të tjera, por kjo është një çështje që askush nuk mund t’i shmanget. Ne jemi të qetë dhe të duruar dhe do të bashkëpunojmë me prokurorinë. Ky ishte një rast tepër flagrant dhe vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Mund t’ju them se ne do të vijojmë të komunikojmë me qetësi dhe arsyetim. Ne duam të mbrojmë Kushtetutën. Sapo të kthehem në zyrë do t’i autorizoj Blushit që të nxjerrë spotin e parë për çështjen në fjalë. “, u shpreh  Meta.

Kreu i shtetit iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me propozimet që socialistët depozituan sot në Kuvend për ndryshimin e ligjit për prokurorët dhe gjyqtarët. Meta tha se nuk ‘provokohet’ nga këto hapa, që i quajti ‘cic-mice’, (zhargon: vogëlsira).

“Presidenti i Republikës, nuk është në punë, nuk është as në detyrë, por është në mision dhe nuk provokohet nga cicmice të tilla, nga kushdo i orkestron ato. Presidenti ka qenë dhe është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar presidentin dhe popullin ta ketë të qartë që Presidenti e ka të qartë misionin e tij”, u shpreh Meta.


Padia e Presidentit Ilir Meta ndaj Ardian Dvoranit u bë me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, dhe dublikimin e një vendi, për të cilin janë emëruar dy anëtare, Marsida Xhaferrllari nga Meta dhe Arta Vorpsi nga KED. Sipas Metës, Dvorani, ka shkelur ligjin dhe ka kryer dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës.