Kosova parasheh përfitime prej disa milionë euro në vit nga shkëputja përfundimtare me sistemin rregullues energjetik të Serbisë dhe bashkimit me sistemin energjetik të Shqipërisë.
Këto parashikime i bëjnë zyrtarët e qeverisë në largim të Kosovës dhe ata të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
Në fillim të muajit dhjetor (2019), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri, e cila do fillojë së zbatuari nga muaji prill i vitit 2020.
Sipas KOSTT-it, për këtë marrëveshje është informuar edhe Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).