Janë 20 miliardë lekë që vihen nga qeveria në dispozicion të Programit të Rindërtimit. E gjitha kjo u bë e mundur pa cenuar pagat, pensionet, shërbimet dhe investimet.

Kështu deklaroi sot gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kryetar i këtij komiteti.

Ahmetaj theksoi se, “do jetë një fond i veçantë, i auditueshëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në funksion të transparencës, dhe e drejta që do i japë ligji i buxhetit të shtetit qeverisë është që të alokojë këtë fond të veçantë në institucione të ndryshme aktuale qeveritare për të zbatuar programin”.

“Në përgjithësi, shtetet më të zhvilluara kanë një regjim të veçantë të përgjigjes pas fatkeqësive natyrore, ne kemi patur vetëm ligjin e Emergjencave që mbulon vetëm emergjencën. Ky ligj do shtrihet që nga emergjenca, deri tek zhdukja e gjithë dëmeve ose pasojave që shkaktojnë gjithë fatkeqësitë natyrore që mund të ndodhin rëndom. Kjo i jep për herë të parë gjithë instrumentet qeverisë që të reagojë në afat të shkurtër, afat të mesëm dhe në afatgjatë”, – u shpreh Ahmetaj.

“Për sa i përket dosjeve do shtoj vetëm një element: në diskutimin që kam patur dhe me fondacionet e ndryshme na kanë kërkuar shpesh që ku është qeveria të na japë dosjet që ne të vazhdojmë punën. Dosjet janë këtu, janë 350 e më shumë, ndërkohë që i vetmi kusht që ka qeveria është supervizimi për standardet e ndërtimit, asgjë tjetër. Lista do jetë e orientuar nga nevoja në bazë të atyre vlerësimeve dhe inventarit që kanë bërë institucionet shtetërore dhe qeveria lokale”, – përfundoi Ahmetaj.