Home Politike RRËFIM I VONUAR PËR REÇAKUN

RRËFIM I VONUAR PËR REÇAKUN

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ishte ditë e ftohtë e vjeshtës së vitit 2000, kur shkova për herë të parë në Reçak, një fshat shumë pranë qytezës së Shtimes. I ndodhur prej disa muajve në Kosovë, ku gjurmët e luftës ishin ende të freskëta, nuk kisha pasur mundësi që masakrën ta kisha kaq pranë dhe dëshmitarët e saj ti shihja në sy. Shkolla e fshatit ndodhej shumë pranë varrezave të tij, ku preheshin edhe viktimat e masakrës së njohur ndërkombëtarisht që u quajt me emrin e fshatit. Në shkollë kishte fëmijë që kishin humbur prindërit dhe mësues apo prindër të nxënësve që kishin humbur të afërmit. Rrëfimet e tyre të nguliteshin fort në kujtesë dhe ngjarja ishte ende si një plagë e pashëruar. Ne, një grup mjekësh, kryesisht nga Prishtina dhe Ferizaj, kishim filluar trajnimin për ballafaqimin e stresit dhe të traumës me mësuesit e shkollës, në mënyrë që tu vinin në ndihmë fëmijëve.

Jo shumë larg fshatit gjendej vendi i krimit, aty ku ishin gjetur shumica e viktimave të vrara në mëngjesin e 15 janarit 1999. Masakra rezutoi me vrasjen dhe gjymtimin barbar të 45 banorë të fshatit, ndër to edhe të një gruaje. Forcat serbe kishin ekzekutuar me gjakftohtësi dhe nga afër një pjesë të burrave të fshatit. Të nesërmen Ambasadori Walker, do ta quante këtë ngjarje “krim kundër njerëzimit” dhe një ditë më pas do të shpallej “person non grata” në Jugosllavi nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Disa muaj më pas do të vazhdonin masakra të tjera në Krushë, Izbicë, e në zonën e Gjakovës.

Në Reçak askush nuk dinte të thoshte me saktësi përse trupat serbe sulmuan pikërisht atë fshat, atë mëngjes janari, përse reaguan aq mizorisht ndaj njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Mbase i gjithë qëllimi kishte qenë për të frikësuar pjesën tjetër të popullsisë në mënyrë që të mos mbështeste forcat çlirimtare të UÇK-së, të cilat vepronin në terren dhe kishin mbështetjen e popullsisë. Në fakt ajo ngjarje pati efekt krejtësisht të kundërt, sepse sensibilizoi gjithë faktorin ndërkombëtar se në Kosovë po ndodhte e njëta gjë si në Bosnjë dhe përshpejtoi ndërhyrjen e NATO-s.

Fëmijët na afroheshin me kureshtje, ata ishin vizituar shpesh herë nga gazetarë apo të huaj dhe për ta ishte bërë një gjë e zakonshme, por ideja se ishim mjekë shqiptarë i bënte akoma më kuriozë. Lufta kishte mbaruar dhe tashmë duhej parë nga ardhmëria. Varrezat pranë shkollës ishin një gjetje aspak e mirë për disa prej tyre, të cilët mund të shihnin varrin e të afërmit nga dritarja e klasës. Mësuesit dukeshin të brengosur për këtë gjë dhe nxituan të na e thonë si shqetësim. Në Reçak, në një fshat me disa qindra banorë jeta vazhdonte dhe banorët dukeshin më të afërt dhe më të bashkuar me njëri-tjetrin.

Më kishte qëlluar që të shkoja edhe dy herë të tjera në këtë fshat, por e shkuara ishte aty, ndihej në atmosferë dhe në biseda. Reçaku ishte një ngjarje mjaft e dokumentuar, nga ndërkombëtarë të atashuar në Jugosllavinë e asaj kohe, nga gazetarë të huaj mjaft kurajozë, gjithçka ishte e vërtetë, po aq sa mizoria e atyre që e shkaktuan atë masakër. Propaganda serbe ishte përpjekur ta mbulonte si këtë ngjarje, ashtu edhe masakrat e tjera, me të gjitha mënyrat, por mizoria kishte të mbijetuar dhe e vërteta lexohej në trupat e viktimave. Nuk kishte turp më të madh se ata që i vrisnin, i masakronin dhe më pas ngrinin supet.

Ditët e fundit, Presidenti i Serbisë, nxënës i Sheshelit dhe bashkëpunëtor i Sllobodanit, megjithëse thuajse 21 vite më pas dhe me petkun e të parit të shtetit të tij, vazhdon me të njëtën retorikë për një ngjarje me viktima, të dokumentuar dhe të vërtetë. Risjellja e të njëtit qëndrim në prag të paqes midis shqiptarëve dhe serbëve duket se thellon hendekun dhe rihap plagë të vjetra. Paqja nuk mund të vijë pa pranuar gabimet dhe pa kërkuar falje mbi genocidin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Sheshelizimi i Serbisë nuk i intereson askujt, as popullit serb, aq më pak Ballkanit dhe neve.
Paqja fillon me falje!

Lajme te ngjashme