Home Aktualitet “Të harruar nga shteti dhe të goditur nga tërmeti”, reportazh në fshatin ku kalon vetëm kali

“Të harruar nga shteti dhe të goditur nga tërmeti”, reportazh në fshatin ku kalon vetëm kali

nga Albina Hoxhaj

Na u desh 1 orë për të udhëtuar në fshatin Kodër Mazhë e Madhe, 30 kilometra larg Tiranës. Diku në periferi të Bubqit, edhe ky fshat është një nga zonat e prekura të tërmetit.

Grupi i tvklan.al shkoi aty për të parë nga afër situatën që la pas tërmeti i 26 Nëntorit. Përpos fatkeqësisë natyrore, mesa duket ky fshat është lënë në harresë të plotë për një kohë të gjatë.

Kjo është rruga që të çon drejt Kodër Mazhë e Madhe. Kali dhe mushka janë të vetmet kafshë që përdoren për mjet transporti…dhe arsyeja është mëse e qartë.

Në këtë fshat jetojnë vetëm dy familje. Njëra me katër anëtarë, e tjetra me dy.

“Unë jam Agim Prreni. Më është prishur shtëpia, rrugë jo. Vetë i katërt në shtëpi. Edhe kafshën e kam për nevoja personale me nxjerr kalamajtë për t’i çuar në shkollë në radhë të parë, edhe për t’i marrë”.

Spartak Koka: Të është prishur shtëpia nga tërmeti?

Agim Prreni: Po!

Spartak Koka: S’ka rrugë?

Agim Prreni: S’ka rrugë! Kemi bërë kërkesa disa herë, na kanë thënë po, s’kanë bërë veprim.

Rrugës për të shkuar në banesën e Agimit, takojmë Skënderin, kryefamiljarin tjetër të këtij fshati.

Skënderi: Shikoni në çfarë gjendje jetojmë ne. Jo pak, por i thonë 365 ditë që jetojmë me këtë rrugë. Kjo nuk është bërë gjë hiç, shih kur të vijë Dhjetori.

Spartak Koka: Sa familje jeni këtu?

Skënderi: Ne të dy kemi ngelur këtu tani.

Pas baltës dhe llucës, mbërrijmë në shtëpinë e Agimit.

“Urdhëroni…”

Spartak Koka: Këtu është dëmtuar.

Agim Prreni: Është dëmtuar nga jashtë.

Spartak Koka: Ka kolona shtëpia?

Agim Prreni: Jo.

Spartak Koka: Çarje paska dhe këtu, edhe në pjesën tjetër…

Agim Prreni: Muri është shumë i hollë, vetëm kini kujdes se nuk i dihet… është ulur poshtë.

Spartak Koka: Po e shohim, paska futur dhe ujë. Krisjet qenkan të gjitha.

Agim Prreni: Është krisur gjithandej. Fëmijët më flenë në makinë.

Spartak Koka: Ndërsa vetë detyrohesh të vish çdo darkë të rrish jashtë këtu?

Agim Prreni: Këtu jashtë.

Banesa është e pabanueshme, e për këtë arsye Agimi po mendon të jetojë në kasolle.

Agim Prreni: Kujdes se ka ca shkurre këtu, se kam nis me ndërtuar kasollen me jetuar vetë.

Agimi ka dy kërkesa jetike.

“Unë kërkoj vetëm diçka. Rrugën një, edhe një copë shtëpie dy”.

Shtëpitë e fshatit kanë pësuar dëmtime që prej tërmetit të 21 Shtatorit, por askush nuk i ka inspektuar banesat.

Skënderi: Në tërmetin e 21 Shtatorit kemi pasur plasaritje.

Spartak Koka: Ka ardhur për inspektime njeri?

Skënderi: Asnjë!

Spartak Koka: Keni bërë kërkesë?

Agim Prreni: Kemi shkuar në komunë.

Skënderi: Unë nuk kam ku të shkoj më parë se në komunë.

Prej këtej, i drejtohemi edhe shtëpisë së z.Skënder, kushëririt të Agimit. Sërish na duhet të përballemi me baltën, kurse disa rrugë janë të pakalueshme.

Dukshëm, edhe muret e shtëpisë së Skënderit kanë pësuar plasaritje.

Aty jashtë takojmë edhe gruan e Skënderit, Kimeten, zonjë e cila me zërin që i dridhet kërkon të vijë t’i shikojë dikush.

Bashkëshortja e Skënderit: Ka marrë burri dyshek. Ç’e do nëna dysheku. Nëna do çati me fut kokën. Po robi pyet, ka pleq këtu.

Skënderi së bashku me gruan janë strehuar në stallën e kafshëve. Aty gatuajnë, aty dhe flenë. Çfarë bie jashtë, hyn brenda.

Spartak Koka: Një tigan, një vezë, një miell është gjithçka në familjen e Skënder Prrenit, që aktualisht po rrinë në këtë kasolle. Uroj të ketë sensibilitet nga të gjithë ata që ju ndjekin, të ketë të gjithë vëmendjen nga strukturat shtetërore për të parë gjendjen tuaj reale dhe për të vënë dorë, që mos të të dridhen këto duar nga i ftohti.

Përsëri na duhet të kalojmë peripecitë rrugës së lënë në harresë.

Për të pirë ujë, dy familjet Prreni përdorin një pus të vjetër.

“Ky është uji që pimë dhe lahemi ne, edhe hamë ushqim”.

Pasi dalim nga Mazha e Madhe, në dalje të fshatit takojmë familjen e Agimit, gruan dhe dy vajzat që po strehohen në një makinë të parkuar poshtë një garazhi.

Bashkëshortja e Agimit: Te shtëpia ishit vetë e patë, qoftë edhe rrugën, qoftë edhe ujë që s’kemi. Ne po flemë këtu, ka një javë që flemë brenda në makinë. Unë me dy gocat. Ne kërkojmë çadër të paktën.

Nga Mazha e Madhe po largohemi me dëshirën e mirë që zëri i familjeve Prreni të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të plotësohen.

Gazetar: Spartak Koka

Lajme te ngjashme