Home Politike PD kërkesë me 5 pika qeverisë dhe Bashkisë Krujë: Brenda 10 ditësh jepni llogari për jetët e humbura dhe dëmet në Thumanë

PD kërkesë me 5 pika qeverisë dhe Bashkisë Krujë: Brenda 10 ditësh jepni llogari për jetët e humbura dhe dëmet në Thumanë

nga Albina Hoxhaj

Partia Demokratike ka nisur një kërkesë zyrtare qeverisë dhe Bashkisë së Krujës, ku iu kërkon të japin brenda 10 ditësh informacion për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kërkesa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, në të cilën thuhet se kërkohet informacion për dy pallatet e shembura nga tërmeti. Sipas PD, qeveria dhe Bashkia Krujë duhet të japë llogari për vdekjen e 24 qytetarëve të vdekur nga tërmeti në Thumanë.

Njoftimi i plotë i PD:

Pas heshtjes së Qeverisë për pyetjet tona publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD z. Gazment Bardhi, i drejtohet me kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë, për 5 çështjet e mëposhtme:

1.Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?

2.A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.  

3.A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?

4.Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?

5.Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo?

51 persona të vdekur, 913 të plagosur dhe 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit. Toka vijon të dridhet. Tashmë ka nisur puna për idenftifikimin e dëmeve dhe paralelisht po mblidhen fonde.

Lajme te ngjashme