Home Politike Rama dhe Lenarčič në Vorë: 15 milionë eurot nga KE vetëm fondi i parë, tjetër mbështetje nga BE

Rama dhe Lenarčič në Vorë: 15 milionë eurot nga KE vetëm fondi i parë, tjetër mbështetje nga BE

nga Albina Hoxhaj

“15 milionë eurot e akorduara dje nga Komisioni Europian janë vetëm një fond i parë, i garantuar me shpejtësi maksimale për një fazë paraprake dhe nuk është fondi i përgjithshëm i mbështetjes së BE-së”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediet nga Vora, ku bashkë me Komisioneri i ri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič vizitoi pikën e emergjencës të ngritur pas tërmetit.

Kryeministri kërkoi nga mediet që të informojnë mirë publikun mbi fondin e dhënë dje nga Komisioni Europian.

“Ky është vetëm një fond i parë, i garantuar me shpejtësi maksimale për një fazë paraprake. Nuk është fondi i përgjithshëm i mbështetjes së BE-së, që si gjithmonë shumëkush prej jush vrapoi ta thotë gabim. Siç e tha dhe Komisioneri Lenarčič , KE, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen është angazhuar me ne për të pasur një raport të detajuar të postkatastrofës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “mbi bazën e atij raporti do të vihen në lëvizje mekanizimi i financimit të BE-së për rindërtimin, për aq sa mund të mbuloj”.

Kryeministri informoi po ashtu se “dje, në Samitin e NATO-s kam marrë nga të gjithë liderët e pranishëm shprehjen e gatishmërisë për të marrë pjesë në një konferencë të madhe donatorësh për të mundësuar mbledhjen e fondeve nga shtetet, jo thjesht nga BE”.

“Po mbrëmë, Presidentja ma ka komunikuar se KE do të jetë koorrdinatori i kësaj konference të madhe donatorësh që së shpejti do të mësojmë se ku dhe kur bëhet. Unë kam kërkuar jo më larg se janari, edhe pse nuk është në dorën time”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “falë edhe mbështetjes së menjëhershme të KE-së, angazhimit të ambasadorit të BE-së dhe gjithë delegacionit këtu, angazhimit të ambasadorëve të përfaqësive të shteteve të tjera, ne kemi numrin më të madh të imagjinueshëm të ekipeve që po bëjnë inspektimin e godinave”.

“Kanë kaluar 4 mijë, ka ende shumë për të bërë, por ju lutem njerëzve durim sepse është shumë e rëndësishme që të kemi një ekspertizë pa nxitim, me shpejtësi por pa nxitim për të ditur se cilat janë godinat që do të shemben dhe cilat godina do të rindërtohen”, tha Rama.

Lajme te ngjashme