Home Bota Përballon tërmete me magnitudë 9, ja sekreti i Japonisë, pse nuk rrëzohen ndërtesat gjigante

Përballon tërmete me magnitudë 9, ja sekreti i Japonisë, pse nuk rrëzohen ndërtesat gjigante

nga Albina Hoxhaj

Lëkundjet e forta sizmike që shkaktuan 51 viktima dhe qindra të plagosur në Shqipëri, kanë bërë që specialistët dhe jo vetëm të thellohen në analiza rreth asaj se çfarë mund të bëjë një vend për t’u mbrojtur nga tërmeti.  Shembulli më i mirë është Japonia, ku pavarësisht se tërmetet janë të shpeshta godinat rezistojnë edhe tërmeteve me mganitudë 9 ballë. Kjo ndodh pasi në këtë shtet zbatohen një sërë masash paraprake. Shtëpitë ndërtohen sipas një kodi strikt ndërtimi i cili mbështet në ligj. Kjo vlen edhe për shkollat e godinat shtetërore. Statistikat thonë se 87% e ndërtesave në Tokio i kalojnë tërmetet pa problem.

Disa struktura ndërtohen që të jenë fleksibël në rast lëkundjesh dhe disa të tjera ndërtohen me Teflon, që i lejon të lëvizin bashkë me lëkundjet. Disa bëhen me baza gome të fryrë a me lëng që thithin lëkundjet. Kulla e famshme e Tokios imiton formën e tempujve pagoda, që i kanë mbijetuar tërmeteve me shekuj të tërë.

Çdo celular në Japoni ka një sistem alarmi për cunamit dhe tërmetet. Alarmi jepet pesë deri në dhjetë sekonda para katastrofës dhe u jep mundësi qytetarëve të mbrohen me shpejtësi. Sistemi I lajmëron që ka tërmet deri në momentin që ndalojnë lëkundjet.

Japonia dominohet nga trenat. Për të siguruar jetën e pasagjerëve, trenat janë të pajisur me mekanizma që dallojnë lëkundjet që në sekondat e para dhe ndalojnë menjëherë së lëvizuri. Në vitin 2011, një tërmet me magnitudë 9.0 goditi vendin. Ishin 27 shinkansen, trena të posaçëm që mbrohen nga tërmetit, në lëvizje. Secili prej tyre ndaloi para se të binte tërmeti, të sinjalizuar nga lëkundjet e vogla që i paraprinë. Nuk pati as të lënduar, as të vdekur.

Në momentin që bie një tërmet, të gjitha kanalet televizive të japonisë transmetojnë mbulim të ngjarjes, për të informuar qytetarët. Mbulimi flet për tërmetet, ku të mbrohen banorët dhe në ka cunami në oqean.

Që në moshë të hershme, fëmijët japonezë bëjnë stërvitje në shkollë si duhet të sillen në rast tërmeti. Nëse gjenden brenda, u mësohet të futen poshtë tavolinave dhe të mbajnë këmbët me duar deri sa të mbarojnë lëkundjet. Nëse ndodhen jashtë, mësohen të vendosen në një vend të hapur për të mos u goditur nga rrënojat. Zjarrfikësit i vendosin fëmijët në simulatorë tërmeti, që të mund ta dallojnë kur bëhet fjalë për lëkundje.

Japonia e mbron popullsinë nga tërmetet e të ardhmes duke u mësuar për tërmetet e kaluara. Në vitin 1995, qyteti i Kobe u godit nga një tërmet që vrau pesë mijë njerëz dhe shkatërroi me dhjetëra mijëra shtëpi. Pasi rindërtoi qytetin, Kobe ndërtoi edhe muzeun përkujtimor. Përveçse kujton jetët e humbura, muzeu shërben edhe si një qendër edukative mbi parandalimin e katastrofave dhe mbijetesën.

Çdo shtëpi përgatitet në rast se më e keqja ndodh. Shumë prej tyre blejnë kuti të gatshme, që përmbajnë ndihmën e parë, ujë, racione ushqimore, doreza, maska fytyre, dyshekë të hollë, radio dhe pishtarë.  

Në periferi të Tokios, ndodhet Tuneli i Shkarkimit të Ujit, shtrirë nën një fushë futbolli dhe një parku. Ky tunel mbedh ujin e tepërt nga ciklonët a cunamit dhe e shpërndan në lumin Edo. Nëse zona goditet nga një tërmet dhe tërmeti shkakton një cunami, qyteti s’ka për t’u përmbytur. U deshën 13 vjet për ta ndërtuar dhe kushtoi 3 miliardë dollarë.

Lajme te ngjashme