Home Aktualitet I zoti i Shpisë

I zoti i Shpisë

nga Albina Hoxhaj

Nga Indrit Vokshi

I zoti i Shpisë nuk flet kot si llahinkë por flet me mençurinë e mësuar nga përvoja e të trashëguar prej paraardhësve të tij. I zoti i Shpisë nuk shan, se kështu i humb autoriteti. Po shau nuk është më zot shpie por e ul veten dhe bëhet i barabartë me ata poshtë tij që shahen me njani-tjetrin. I zoti i Shpisë sheh sa prodhon, llogarit sa ka dhe ndan me drejtësi. Po nuk ndau me drejtësi ai urrehet në heshtje, po ndau me drejtësi ai admirohet haptas. I zoti i Shpisë u jep siguri të tjerëve, sepse është vetë i sigurt. U jep guxim të tjerëve, se është vetë trim. U jep zgjidhje të tjerëve, sepse ka zgjidhje për vete. I zoti i Shpisë i zbardh faqen shpisë dhe e nderon, sepse është vetë faqebardhë dhe i ndershëm. Nëse i zoti i Shpisë i shpenzon paratë për pije e për qejfe, ai është satrap. Nëse pasi i shpenzon për qejfe del e lyp tek të tjerët, ajo shpi merr fund. Për t’zotin e Shpisë shpia bën sakrificë, kur ai bën sakrificë për shpinë. Kur ai mendon a kanë të tjerët, pastaj për veten. Kur vjen lufta i zoti i Shpisë e nxjerr bajrakun dhe është i pari në kal. Kur vjen fatkeqsia i zoti i Shpisë e ka zemrën e madhe, urtinë të thellë dhe qëndrimin të naltë e fisnik. Atëherë njerëzit kur shohin se kanë dikë që u prin e i nderon, në familje e punë, në dasma e luftë, në neja e fatkeqsi, ata qëndrojnë dhe i dhurojnë të gjitha aftësitë e fuqitë për Shpinë e përbashkët. Atëherë Shpia është më e fortë dhe i përballon tallazet me dinjitet. Shqipëria ka nevojë për zot Shpie.

Lajme te ngjashme