KRYETARJA E DORËHEQUR QË NË KANDIDIM

Read Time:2 Minute, 18 Second

Nëse do të kishte një histori më kuptimplotë për të përshkruar votimet e fundit vendore, mjafton të analizojmë Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Znj. Sako, e cila sot bëri dorëheqje nga detyra publike. A mjafton emërimi i një posti kaq të rëndësishëm apo pseudozgjedhjet e 30 qershorit? Znj. Sako tregoi se kjo është një eksperiment i dështuar. Dorëheqja e saj dukej e shkruar që ditën e zgjedhjes. Pa ndonjë karrierë politike, ajo u vendos nga PS si kandidate për Durrësin. Një Kryetar Bashkie, aq më tepër i Bashkisë së dytë për nga madhësia në vend, nuk duhej të ishte thjesht një anonim i emëruar, pa besimin e qytetarëve, pa një garë ideshë dhe projektesh, pa një votim real.

Kryetarja shumë shpejt kuptoi se ishte e pafuqishme në pozicionin e saj dhe trysnia e ngjarjes së fundit, e bëri të pranonte largimin. Gafat e saj në media nuk janë asgjë para gafës së zgjedhjes së saj pa garë. Qytetarët dhe mediat në ditët e para të katastrofës së shkaktuar nga tërmeti, pyesnin se ku është Kryetarja, pasi nuk dukej askund. Dëmtimi i shtëpisë së saj dhe ndoshta frika e krijuar nga ngjarja nuk mund të ishin një justifikim për mungesën e saj në terren dhe pranë njerëzve. Por, Rama e eklipsoi rolin e saj, ashtu siç bën me këdo tjetër dhe i la asaj thjesht të ndante ndihmat.

Ikja e Kryetares së tretë të një Bashkie të dalë nga votimet e 30 qershorit, ishte demaskim për mënyrën e përzgjedhjes dhe të votimeve që ndërmori Rama dhe Rilindja. Ata në vend të njerëzve më influencë në komunitetet e tyre, zgjodhën individë, të cilët duhet ti shërbenin apo gëzonin besimin e një pakice, duke zbehur rolin e tyre, duke i bërë të ndihen të pafuqishëm dhe aspak brenda pozicionit të tyre. E pra, ikja ishte caktuar që në zanafillë. Ndaj mos mendoni se iku për disa fjalë të thëna pa menduar gjatë, me naivitet apo në lodhje e sipër.

Sot, kam dëgjuar edhe teori konspirative, se kjo ndodhi që të vihet në pozicion njeriu i Gjushit për të mbuluar paudhësitë e tij. Ndoshta ka edhe elementë të tillë, por nuk duket se e shpjegon tërësisht atë që po ndodh. Znj.Sako pranoi që në fillim të merrte një pushtet të falur dhe të ishte një Kryetare pa dinjitet, ky ishte gabimi i saj, të cilin duket se e korrgjoi sot. Kushdo që ka menduar se në këtë vend mund ta delegojë pushtetin vendor apo qendror, ta tregëtojë si mall pazari, ka bërë ose po bën një gabim. Autoriteti i një të zgjedhuri vjen nga vota dhe mbahet nga mbështetja. Në fakt, Znj.Sako ka bërë aktin, të cilin duhej ta bënte Ai që instaloi dhe mbështeti këtë lloj pushteti.

Dorëheqjen duhej ta jepte Ai!

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Imam Naçi bëj punën e Allahut e jo të shejtanit.
Next post Rama humbet durimin me qenin në Kashar: Pusho! Pusho, se dhe ty të kemi mangut