Gjykata ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Altin Zekën, shefin e Rendit në Komisaritin e Rinasit, Alban Taullën, kunatin e tij zjarrfikës pranë repartit të Kombinatit. Ndërsa për efektivin e policisë së Rinasit, Ervin Haxhillari, që në këtë vjedhje ka shërbyer si shofer i furginit të policisë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Dy ditë më parë u publikua në media një video ku shfaqej një punonjës policie i cili çonte ndihmat për të prekurit e tërmetit në shtëpinë e tij. Kjo video e cila u publikua edhe nga Dosja.al, mori vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh mbrëmë live se kjo është një babëzi.  Menjëherë u arrestuan nga Policia, Altin Zeka, Alban Taulla dhe Ervin Haxhillari.

Akuzat:

Sipas Prokurorisë ata akuzohen se kanë përvetësuar, një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore, të destinuara për  banorët e prekur nga tërmeti dhe mbi ta rëndon akuza për “mashtrim në bashkëpunim”. Policia njofton se procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media.