Home Aktualitet Pasojat e tërmetit/ Lehtësim nga taksat për donacionet që kryhen nga biznesi

Pasojat e tërmetit/ Lehtësim nga taksat për donacionet që kryhen nga biznesi

nga Albina Hoxhaj

Nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntor, në ndihmë të familjeve të dëmtuara, ministria e Financave dhe Ekonomisë nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik.

Për këtë qëllim Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ sipas së cilit do të rritet nga 3% në 8% e fitimit të tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset.

Kjo incentivë në shërbim të angazhimit ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion.

Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

Thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit.

Po ashtu qeveria miratoi edhe vendimin për përjashtimin nga TVSH-ja për të gjitha mjetet dhe materialet që përdoren për të rindërtuar.

Lajme te ngjashme