Home Aktualitet Të mbijetuarit në familjet ku tërmeti mori jetë, trajtim të posaçëm financiar gjatë gjithë jetës

Të mbijetuarit në familjet ku tërmeti mori jetë, trajtim të posaçëm financiar gjatë gjithë jetës

nga Albina Hoxhaj

Të gjithë të mbijetuarit në familjet ku tërmeti i datës 26 nëntor ka marrë jetë do të marrin një trajtim të posaçëm financiar gjatë gjithë jetës së tyre.

Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, të cilat krijojnë hapësirën e nevojshme për sigurimin e trajtimit të posaçëm financiar për të mbijetuarit në familjet ku tërmeti ka marrë jetë.

Kryeministri Edi Rama theksoi se ky do të jetë trajtim financiar për të gjithë jetën e tyre.

”Dje kam shoqëruar Albert Carën, i cili ende nuk e di që ka humbur gjithë familjen. Urojmë me gjithë shpirt ta kapërcejë situatën e rëndë, sepse është i dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe për këtë kërkon edhe një trajtim të specializuar dhe e kemi dërguar në një nga klinikat më të mira të Italisë. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se çdo të thotë që mbasi të dalë nga ajo situate të përballet me faktin se nuk ka më asnjë njeri”, – u shpreh Kryeministri.

Ashtu, vijoi ai, sikundër Lindita Cara e cila i ka humbur të gjithë.

Kreu i qeverisë informoi se për të dy këta të mbijetuar ka një trajtim të veçantë.

Ndërkohë, theksoi ai, për të gjithë familjet e viktimave do të jepet pensioni i veçantë i Republikës së Shqipërisë, pensioni që në ligj iu jepet njerëzve me kontribute të veçanta.
Është një numër i kufizuar që varion rreth 15. “Këta njerëz do të përfshihen në këtë kategori dhe do të marrin këtë pension njësoj siç e marrin njerëz me kontribute të veçanta si akademik, shkencëtar, artiste, sportist, etj”, – deklaroi Rama.

Lajme te ngjashme