Home Aktualitet Inxhinierja Bozo: Para viteve ’90 ishte e ndaluar ndërtimi në plazhin e Durrësit

Inxhinierja Bozo: Para viteve ’90 ishte e ndaluar ndërtimi në plazhin e Durrësit

nga Albina Hoxhaj

Inxhinierja e ndërtimit dhe profesoresha Luljeta Bozo, ishte e ftuar në një studio televizive për të folur rreth ndërtimeve në vendin tonë dhe tërmetit të fundit që shkaktoi një bilanc të frikshëm dëmesh dhe humbje jetësh njerëzore.

Inxhinierja e cilëson këtë tërmet si një ngjarje të rëndë edhe pse sipas saj kanë rënë tërmete të tjera të tillë më përpara por jo me të tilla bilance kaq tragjik. “Fuqia nuk ka qenë më e madhe se ajo e 1979, ai ishte me magnitudë 6.9 kështu që nuk mund t’ia vëmë fajin që çlirimi i energjisë ka qenë më i madh se 40 vite më parë”, – u shpreh Bozo.

“Është një cikël që e kanë sizmologët tanë, që kanë bërë punë të shkëlqyer, më parapara dhe tani por kanë bërë studime që kanë parashikuar një periudhë të përafërt 35-40 vjet të një eventi si ai i ’79. Por nuk qëndron problemi aty. Nëse para ’90 kishim rregulla shumë strikte në ndërtim, se të tëra na kanë ndodhur për shkak të ndërtimeve. Të shikosh ndërtime që kolapsohen në këtë formë është tragjike kur janë dhe të reja”, tha ajo.

Duke folur për zonën e ish-kënetës në Durrës, Bozo thotë se në atë zonë nuk duhet ndërtuar. “E para sepse ajo është nën nivelin e detit, e dyta sepse përbëhet nga dhera problematik që prishin strukturën e ndërtimeve në rast të lëkundjeve sizmike. Ajo është evidentuar nga gjeologët tanë dhe sizmologët si një terren i papërshtatshëm për ndërtim. Ajo një dhe plazhi i Durrësit, dy”.

“Pas 1990”, – thotë Bozo, “në ndërtim ka pasur një kaos të plotë. Me projektim u morën të gjithë, edhe ata që ishin të aftë dhe ata që ishin të paaftë. Të gjithë u bënë inxhinierë. Edhe në ato objekte që ishin të ndërtuara sipas rregullave, njerëzit kanë ndërhyrë në mënyrë katastrofike mbi godina duke prishur strukturën e mureve në katet e para që mbajnë gjithë ngarkesën. I kanë hequr për të bërë lokale, për të liruar hapësira. Nuk mund të heqësh asnjë centimetër mur pa pyetur atë që ka bërë llogaritjen që të jesh i sigurt për atë që po bën”.

Lajme te ngjashme