Një grup inxhinierësh të ndërtimit dhe arkitektë nga Kosova zbritën sot në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri, për të bërë kualifikimin e objekteve dhe përcaktuar cilat janë të banueshme dhe cilat jo.

40 profesionistët nga Kosova, në bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter.

Përfaqësuesi i ekipit të inxhinierëve dhe arkitektëve nga Kosova tha se ekipi përbëhet nga inxhinierë të ndërtimtarisë dhe arkitekturës të institucioneve të ndryshme shtetërore, biznesit, edukative dhe arsimore të Kosovës.

“Kemi ardhur në mënyrë vullnetare të kontribuojmë në skanimin e vlerësimin e dëmeve nga tërmeti. Është detyrë e përgjegjësi e jona profesionale, por edhe diçka më shumë, sepse t’i ndihmojë vëllai-vëllait është emocion i veçantë”, theksoi ai.