Tërmeti mbush hotelet e bujtinat në Korcë, qytetarët: Ikëm nga Tirana e Durrësi

Read Time:1 Minute, 58 Second

Qyteti i Korçës këto ditë është mbipopulluar nga qytetarët e vendeve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor. Tmerri që përjetuan këta qytetarë i ka detyruar të braktisin banesat në drejtim të vendeve që shfaqin siguri për jetën e tyre. Ata shprehen se përveç mikpritjes në hotele kanë gjetur mbështetje edhe tek shtëpitë e miqve të tyre, të cilët kanë hapur dyert pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Ne jemi tek disa miq këtu me të thënë të drejtën. Nuk është se kemi shkuar në hotel. Atë ditë që ra tërmeti nga ora 10 jemi nisur. Kam shumë frikë. Tmerrin që kam parë unë besoj ka më shumë nën gërmadha. Apartamenti im është totalisht i pabanueshëm. Ne jemi 12 persona që kemi ardhur këtu në qytetin e Korçës” thanë disa prej tyre.

Për banorët që kanë zgjedhur hotelet ata shprehen se nuk ka abuzim me rritjen e çmimeve, por përkundrazi kanë gjetur mikpritje. “Unë vij nga Tirana. Ka dy ditë që jam në Korçë. Kam marrë fëmijët, bashkëshortin dhe rri këtu në hotel. Po nga frika kam ardhur këtu. Ishte një tmerr i vërtetë”.

Ka zëra se çmimet e hoteleve janë dyfishuar? “Absolutisht jo. Unë jam vetë nga Korça. Çmimet nuk kanë ndryshuar”. “Ne nuk e dimë. Hera e parë që vijmë por na duken krejt normale”. “Jo, absolutisht jo. Çmimet janë krejt normale. Ne jemi shumë të kënaqur me hotelin”.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe zv/kryetarja e Bashkisë Korçë, Benila Terova e cila shprehet se pavarësisht rezervime të hershme për festat e nëntorit dhe fundvitit, pronaret e bujtinave dhe hoteleve kanë hapur dyert për banorët e prekur nga tërmetet, njëkohësisht kanë venë në dispozicion dhe shtëpitë e tyre.

“Bashkia e Korçës ka ngritur një grup pune për të kontaktuar të gjitha strukturat akomoduese në qytet por edhe në fshatra. Ka rezultuar se këto struktura, rreth 90 janë plot me njerëz. Jo vetëm me kategorinë vizitorë, por edhe nga zonat e prekura nga tërmeti. Ajo çka është e rëndësishme të përmendet është se çmimet për njerëzit kanë qenë më të ulta se zakonisht. Ose një pjesë e këtyre hoteleve kanë ofruar akomodimin falas” tha Benila Terova. Nga ana tjeter, nga një vëzhgim në terren i Report Tv hotelet dhe bujtinat e qytetit janë të tejmbushura. Disa nga hotelet janë ofruar dhe po operojnë falas për banoret e prekur nga tërmeti

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post “Shpirtin kam për ta lënë në këtë fshat”, Stresi viziton nga afër banorët e Bubqit
Next post Shkatërrimet nga tërmeti, “kryqëzohet” drejtori i Institutit të Ndërtimit