Home Aktualitet Në Kavajë situata e rëndë, banorët: Qeveria të kthejë sytë tek ne

Në Kavajë situata e rëndë, banorët: Qeveria të kthejë sytë tek ne

nga Editor

Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, ka lënë në mëshirë të fatit edhe qytetin e Kavajës. Edhe pse shumë pranë Durrësit dhe pjesë e qarkut të Tiranës, në Kavajë banorët duken të pashpresë, pasi gjendja e emergjencës deri më tani nuk i përfshin banesat e tyre. Qeveria duhet të shkojë urgjentisht në këtë qytet, pasi dëmet janë të shumta dhe nevojat janë të larta. Mësohet se 80 familje nga disa pallate janë evakuuar. Dëmtimet e banesave të tyre janë të tmerrshme. Megjithëse situata është tejet e rrezikshme, banorët tentojnë të futen në shtëpi për të shpëtuar ç’të mundin.

Dëmtime jo vetëm në korridoret e brendshme por edhe në muret e jashtme. Në një tjetër ndërtesë, një prej banorëve merr guximin të tregojë dëmtimet që kanë qenë të jashtëzakonshme. Në një ndërtesë 9-katëshe, e parë nga afër nga ekspertë të bashkisë banorët bënë riparimet në 21 shtator ndërsa tashmë do të duhet të jetojnë diku tjetër. Me duart nga qielli dhe shpresën se dikush do të shkojë pranë tyre në këtë moment të vështirë. në qytetin e Kavajës ka edhe shumë banesa private të dëmtuara.

Kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali për ”Ora News”, tha se në total janë 20 banesa që janë shembur, ndërsa 6 pallate janë dëmtuar. “Dëme materiale kemi goxha, janë 6 pallate të dëmtuar dhe 20 shtëpi private të shembura. Një pjesë nga pallatet janë dëmtuar edhe nga tërmeti i parë”. Ai tha se janë marrë masa edhe për akomodimin e të prekurve nga tërmeti. ”Kemi ngritur 3 qendra emergjente, kemi akomoduar edhe në hotel. Disa familjarë janë larguar tek të afërmit e tyre”.

Lajme te ngjashme