Home Aktualitet Boshatiset kompleksi i pallateve në Kombinat

Boshatiset kompleksi i pallateve në Kombinat

nga Editor

Një kompleks i tërë pallatesh të vjetra në zonën e Kombinatit, pas shkollës “Musinë Kokalari”, është boshatisur nga banorët për shkak të dëmtimit të strukturës nga tërmeti i fundit.

Pallatet ishin dëmtuar që me tërmetin e 21 shtatorit, por siç thonë vetë banorët, inxhinierët u kishin thënë se ka vetëm dëme në suva dhe jo strukturë.

Banorja: Nga inxhinieri Agron Hysenlliu, më ka thënë se pallati nuk ka dëme strukturore por në suva dhe duhet ti rikonstruktoni. Unë kam rikonstruktuar banesën së bashku me banorët e tjerë. Me tërmetin që ra banesat janë dëmtuar më shumë.

Tashmë banorët kanë mbetur në rrugë. Ata nuk futen dot në banesa as për të marrë rroba nga frika. E vetmja gjë që kërkojnë nga autoritetet është të dërgojnë një grup ekspertësh që të verifikojnë nëse banesat e tyre janë të banueshme apo jo, janë të sigurta për të jetuar në to apo jo.

Banorja: Ne kërkojmë të ngrihet një grup inxhinierësh të vinë dhe verifikojnë gjendjen, pallati është i banueshëm apo jo, mos të rrezikojmë dhe ne. Nuk duam të pësojmë fatin e Durrësit. Këtu nuk rri më njeri. Ne kërkojmë nga autoritetet të na thonë ky pallat është i banueshëm apo jo. Nuk mund të vijë vetëm Agron Hysenlliu me një çekiç dhe ti bjerë suvasë. Tullat kanë lëvizje, sa siguri ka? Kërkojmë një verifikim.

Nuk na intereson të dalim me qira, na interesojnë banesat tona janë të rrezikshme apo jo. Banohen apo jo?Mos të vinë të na gjejnë edhe ne nën rrënoja siç gjetën ata njerëz që patën atë fat të mjerueshëm.Kam ditë që e kam lënë shtëpinë, nuk mund të jetoj aty. Këto netë kemi fjetur në makinë dhe lokal. Por nuk shtyhet më kështu, fëmijët janë të vegjël.

Lajme te ngjashme