Home Aktualitet “Tani boll më”, Sonila Meço: U solidarizuam, por duhet të flasim për betonizimin kriminal

“Tani boll më”, Sonila Meço: U solidarizuam, por duhet të flasim për betonizimin kriminal

nga Albina Hoxhaj

, 2019 14:42

TIRANË- Sonila Meço ka bërë një shkrim për tërmetin e fortë me epiqendër në Durrës që shkaktoi një tragjedi të përmasave të mëdha.

Të gjithë edhe pse të  lodhur vazhdojnë të jenë akivë nëpër rrjetet sociale duke u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti.

Ndoshta ju nuk jeni lodhur, por për tre ditë  me rradhë padyshim që do jeni bezdisur sadopak me mijëra postime kushtuar viktimave numri i të cilave sa vjen dhe rritet apo edhe në lidhje me ndihmat për pjesën tjetër të popullsisë.

Së fundmi gazetarja e njohur, Sonila Meço përmes  një postimi në profilin e saj në rrjetet sociale ka reguar në lidhje me ndërtimet pa kriter që u sheshuan në pak sekonda mëngjesin e së martës, ku sipas saj tashmë  mbaroi koha për solidarizim por duhet të flitet për betonizimin kriminal.

Reagimi i Sonila Meços:

Me gjithë respektin e ndjeshmërinë e skajshme për situatën, teksa na dridhen duar e buzë si njerëz e mandej si gazetarë, nuk e shmang dot një vrojtim mbi një përpjekje që po shtohet me kalimin e orëve.

Gazetarë të mediave prestigjoze ndërkombëtare po kontaktojnë në shumicë kolegë dhe specialistë në Shqipëri lidhur me spekullimet dhe krimin me ndërtimet në Durrës e Tiranë. Pas pyetjes së parë mbi gjendjen e të mbijetuarve, kjo është kërkesa e tyre urgjente. Tashmë po zhvendosen në kryeqytetin shqiptar e në zonat e prekura nga tragjedia, kanë nisur hetimet e tyre dhe kanë mjaftueshëm informacion mbi abuzimin e jashtëzakonshëm me ndërtimin në Shqipëri.

E bëj këtë vrojtim publik, sepse ndihet presion shumë i madh mbi median shqiptare, nga ajo tradicionale e tek portalet për të shmangur çdo lloj analize e komenti profesional mbi këtë temë. Me një gjuhë të egër e terma ndëshkues kërkohet të vendoset prioritet vetëm ndihma e solidariteti, gjë të cilën çdo shqiptar, çdo njeri me zemër e mend, çdo media e ka patur atù absolute.

Por me vijimin e shkundjeve sizmike, me paqartësinë krijuar nga mospasja e një zëri të unifikuar komitetesh me emrat më të zgjedhur të specialistëve më të mirë, me kalimin në vetën e parë të çdo komunikimi zyrtar, duhet të kuptojmë dhe zbatojmë praktikat e një bote shumë më të pregatitur se ne. Duhet folur sot për këtë, paralelisht me ndihmën e menaxhimin e panikut. Sot po flasin mediat ndërkombëtare, ato ku deontologjia profesionale nuk i lejon asnjë zyrtari të lartë t’i urdhërojë, t’i vendosë prioritetet. Sepse nëse sot ka media në Shqipëri, që abuzojnë, me lajme të rreme sharlatanësh që prodhojnë panik, do ndëshkoheshin nga zëri i unifikuar e i përgjegjshëm i komiteteve të specialistëve të organizuara ad hoc në komunikim të koordinuar zyrtar me publikun.

Publiku do të dëgjojë zërin e tyre, në një komunikim të konsultuar, periodik, të organizuar pranë autoriteteve zyrtare, nëpërmjet njoftimeve të rregullta, pa kërcënime, por me shpjegimet e domosdoshme, masat e ndërmarra, hetimet e nisura, strategjinë parandaluese për dëme të mëtejshme, atë për përballimin e ekzistueseve, trajtimin psikologjik të të dëmtuarve direkt dhe publikut që ndjek me ankth zhvillimet.

Kjo është e domosdoshme në kohën kur zëri zyrtar ka vetëm një timbër, të folurën në vetën e parë dhe protagonizëm absolut. Tjetër po shohim nga kolegët e prestigjozeve ndërkombëtare të zbarkuar në Shqipëri me seriozitetin e situatave të provuara.

Ndaj sot më shumë se kurrë na duhet komunikimi i profesionistëve të thirrur “nën armë” nga autoritetet për të përballuar një traumë si kjo. Askush nuk mund të marrë tagrin e komunikimit zyrtar në vetën e parë për gjithçka. Nuk ka nevojë për monologë të tejzgjatur, që kanë monopolizuar komunikimin publik. Kini mëshirë e merrni praktikat botërore edhe në komunikimin publik, se nuk është koha. Tërmeti nuk përzgjedh në varësi të statusit. Jemi secili i pafuqishëm, por të gjithë bashkë të mundur t’ja dalim.

Lajme te ngjashme