32 viktima, 658 të lënduar, 47 të shpëtuar, ky është bilnaci i tërmetit të djeshëm, që e ka futur vendi në zi kombëtare dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.  Ende vijojnë kërkimet në Thumanë dhe Durrës pas tërmetit, pasi mbi 25 persona janë ende të humbur nën rrënoja, dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. 62 persona po marrin mjekim në spitalin e Traumë.

Mëngjesin e sotëm janë gjetur nën rrënoja të pajetë, Klement Çupi bashkë me babain e tij, Hajredin Çupi. Ndërsa në spitalin e Traumës, humbi jetën Sajmir Greku, 31-vjeç. Ndërkohë janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat çifti Çelnike Greku dhe Pëllumb Greku, prindërit e Sajmirit.

Forcat e Armatosura, Zjarrfikëset, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile në bashkëpunim me grupet e ardhura nga vendet mike, vijojnë kontrollet mes gërmadjave në zonat: Këneta në Durrës, te pallati gjashtë katësh afër kryqit të kuq dhe te Vila Palma po në Durrës dhe në zonën e Thumanës.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe 27 nëntorin si ditë zie kombëtare.