Ora 22:38- Ka shkuar në 24 numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të rëndë që goditi vendin në orët e para të mëngjesit të sotëm, me magnitudë 6.4 ballë.

Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e banorëve nga rrënojat vazhdon dhe në këto momente dhe deri tani janë shpëtuar në total 46 persona. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, në total kanë marrë ndihmë mjekësore 650 persona të lënduar kryesisht në gjymtyrë.

Ora 18:01– Dy persona të pajetë janë nxjerrë rreth orës 18 në Thumanë, ndërsa dyshohet se janë nënë e bir, ky i fundit 20 vjeç. Tashmë shkon në 22 numri i viktimave të konfirmuara në Durrës dhe Thumanë dhe Laç e mbi 600 të plagosur kanë marrë ndihmë mjekësore në të gjitha spitalet e 3 rajoneve.

Ora 17.40 – Shënohet viktima e 19-të nga termeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nuk bëhen ende me dije detaje për identitetin e tij.

Ora 17.00 – Është nxjerrë pak minuta më parë, një nga trupat e mbetur në rrënojat e hotelit Tropikal pranë Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Sipas raportimeve më të fundit bëhet fjalë për një 29 vjeçar nga Kosova që kishte prenotuar në hotel.

Ora 13:06: Burime nga Urgjenca Kombëtare njoftojnë se derimë tani janë 18 të vdekur si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.4 dhe me intesitet rreth 9 ballë, që shkundi mëngjesin e sotëm Shqipërinë.

Në Thumanë forcat e kërkim shpëtimit po kërkojnë të bien në gjurmë të 17 vjeçares e cila ka mbetur ende nën rrënoja, ndërsa prindërit e saj kanë arritur të dalin nga banesa edhe pse janë të lënduar.

Ora 12:54: Shkon në 16 numri i viktimave të konfirmuara nga tërmeti tronditës. Një trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat e hotelit Vila Palma në Durrës.

Ndërkohë situate vijon të mbetet e rënduar në Thumanë. Dy persona nxirren të pajetë nga rrënojat e pallatit. Bëhet fjalë për një vajzë të mitur 3 vjeçe dhe gjyshen e saj.

Ora 12:23: Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti, ministria e Mbrojtjes konfirmon se deri tani 13 persona kanë humbur jetën nën rrënojat e pallateve të shembura në Durrës dhe Thumanë, ndërkohë vijon puna për nxjerrjen e personave të tjerë të ngelur nën rrënoja.

Tragjikisht është konfirmuar se edhe një punonjës policie ka humbur jetën. Bajram Hadermataj, punonjës policie të Kavaleshenca ka humbur jetën për shkak se është zënë nga rrënojat.

Ora 12:05:  Zyrtarisht 12 persona kanë humbur jetën, mes tyre 2 fëmijë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.

Ora: 09:20: Konfirmohen 9 viktima nga tërmeti që shkundi Shqipërinë nga Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë që janë shpëtuar nga rrënojat 28 persona në Durrës dhe Thumanë.

Në total janë rreth 600 persona që kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale si pasojë e tërmetit. 80 të shtruar ne QSUT nga plagët e shkaktuara.

Në Fushë Krujë dhe Durrës FA nis ndërtimin e çadrave për strehimin e familjeve të dëmtuara.

Ora: 09:41: Shënohet  viktima e 7 e tërmetit apokaliptik.

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti me përmasa apokaliptike. Shënohet  viktima e 7 në afërsi të Lezhës. Nga të dhënat paraprake mësohet se viktima është aksidentuar pasi nga tërmeti është çarë rruga. Ndërkohë ka dyshime se ka edhe një tjetër viktimë, por mbetet për t’u konfirmuar në vazhdim.

Ora 08:15 -Deri më tani janë shënuar gjashtë viktima nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin pak para orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.

Dy trupa të jetë janë nxjerrë nga rrënojat te vila Palma në Durrës. Ndërsa dyshohet se në lagjen 7 në Durrës janë nën rrënoja ka 4 persona.

Tre prej viktimave janë gra dhe janë nxjerrë nga rrënojat në Thumanë dhe Durrës, ndërsa një viktimë është burrë, i cili sipas gazetarit të Abc News Gjergj Figuri, ndërroi jetë pasi humbi kontrollin e makinës nga lëkundjet e tërmetit.

Raportohet për më shumë se 322 të lënduar nga tërmeti, ndërsa ekziston frika për një numër personash nën rrënoja për nxjerrjen e të cilëve po punohet. /abcnews.al