Momente emocionuese vijnë nga Durrësi ku një 16-vjeçar është shpëtuar nga Forcat Ushtarake në operacionet e shpëtimit në zonën e Kënetës në Durrës.

Rame Lala, një nga pjesëtarët e familjes Lala, 9 anëtarët e të cilës ndodheshin nën rrënojat e një vile, sapo është nxjerrë jashtë ka kërkuar të ëmën.

“Ku është mami”,-është shprehur 16-vjeçari, ndërkohë që fati e bashkoi sërish me të ëmën, e cila i është përgjigjur menjëherë: Të ka mami mbret, o mbret!

Nga banesa katër katëshe e familjes Lala me origjinë nga Peshkopia, janë nxjerrë të pajetë dy persona, Sadete dhe Ilir Lala, pasi në këtë familje jetonin tre kurora, (tri familje bashkë)

Operacioni vjen pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës rihter dhe intesitet 7 ballë, trishtimi dhe zia ka mbuluar Shqipërinë dhe kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë.

15 të vdekur, mbi 600 të plagosur, dhe dhjetëra të tjerë nën rrënoja, është ky bilanci i një ditë që do të mbahet mend gjatë si tragjedia e 26 nëntorit 2019.