Nga Gentian Çala

Trajektorja politike e një qeverisje ndër më të këqiat që kemi pasur, po na tërheq nga njëra betejë në tjetrën, proporcionalisht me shtimin e zullumi të tyre dhe me dëshirën e kapjes së gjithë pushteteve. Ata kanë në duar pushtetin, janë fuqizuar ekonomikisht dhe po përdorin si fasadë mbështetjen e disa ndërkombëtarëve. Beteja midis opozitës dhe mazhorancës, është zgjeruar dhe ka përfshirë institucionin e Presidentit, ku duket se reforma në drejtësi po bëhet që ta kapi njëra palë dhe ta përdorë kundër tjetrës.

Mendjeharbuar dhe zullumqar, Kryeministri ynë, nuk po ndalet në turravrapin e tij zhbërës të institucioneve ose të goditjes së tyre. Dikujt i duket lojë, por nuk është aspak e tillë, madje është moment delikat për vendin. Dikur kishin thënë se një vend rrëshqet ngadalë në autokraci dhe se tirania mund të instalohet me votë, por më pas nga ajo vuajnë të gjithë dhe liria kthehet me shumë mund. Kush mund të thotë se ne nuk po shkojmë gradualisht drejt kësaj gjendje? Madje kjo mund të bëhet edhe me bekim ndërkombëtar, mjafton të bësh disa eksperimente si reforma e zh-drejtësisë, të pranosh zgjedhje me një parti, të heshtësh para kapjes së pushteteve, të mbyllësh sytë ndaj narko-shtetit. A thotë kush se kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh? Kujt i intereson kjo, popullit shqipëtar nuk besoj, disa njerëzve me pushtet dhe të kapur apo të kaparuar po!

Zullumqarët dhe mendjeharbuarit madje po mundohen të na bindin se fajin nuk e kanë ata, por ne që nuk kemi asgjë në dorë, fajin e ka Presidenti dhe opozita. Ata po mundohen të nxisin konflikt ndërmjet faktorëve opozitarë, ndërmjet opozitës dhe faktorit ndërkombëtar, ndërmjet Presidentit dhe disa diplomatëve ndërkombëtarë. Intrigë e cila nuk funksionon sepse shqiptarët janë përcaktuar për integrimin europian dhe për partneritetin euro-atlantik, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të mbahet qëndrim ndaj diplomatëve apo ekspertëve që i bëjnë temena kapjes së pushteteve. Nuk mund të pajtohemi me ndërkombëtarë që nuk respektojnë institucionet e pavarura dhe kushtetutën apo ligjet e këtij vendi. Ka një fije të hollë midis diplomacisë dhe përdorimit të kostumit diplomatik.

Vendi ka hyrë në konfliktin për lirinë dhe kundër tiranisë. Të gjithë ata që flasin në emër të popullit, ka ardhur moment ta dëgjojnë atë. Një mënyrë është referendumi, ndaj iniciativa e Presidentit duket një ofertë e sinqertë për një demokraci të drejtpërdrejtë. Ky është momenti kur ne zgjedhim institucionet tona dhe mënyrën e delegimit të pushtetit. Të gjithë ata që e kanë pasur këtë betejë në mëndje duhet ta mbështesin këtë inicativë. Kjo është beteja që kushtetuta e vendit të zbatohet dhe ligjin të mos e bëjë Maliqi, as shkopi i tij.
Zullumqarët dhe mendjeharbuarit e kanë një vend të prenotuar tashmë, atë të dështimit dhe të pensionimit politik.