Home Aktualitet Ngritja e SPAK, Patozi mesazh politikanëve: Mos u zini, përfundimi do të jetë më i keq se te legjenda e Homerit!

Ngritja e SPAK, Patozi mesazh politikanëve: Mos u zini, përfundimi do të jetë më i keq se te legjenda e Homerit!

nga Albina Hoxhaj

Ish-deputeti Astrit Patozi komenton zgjedhjen e tetë prokurorëve të parë të Prokurorisë Speciale, ditën e sotme. Përmes një postimi në “Facebook”, Patozi shkruan se nuk është nevoja që politikanët të zihen se kush e do më shumë SPAK.

Mesazhi i Patozit:

NUK KA NEVOJË TË ZIHEMI SE CILI E DO MË SHUMË SPAK-un. Nuk ka nevojë fare të zihemi me njëri-tjetrin, se kush është gëzuar më shumë sot për ngritjen më në fund të SPAK-ut. Nuk ka shumë vlerë se cili e deshi më shumë në fillim, cili e tradhtoi rrugës dhe cili i mbeti besnik deri në fund krijimit të kësaj strukture të posaçme për goditjen e korrupsionit të niveleve të larta në Shqipëri.

Sepse është njësoj si të bësh garë se kush është më i zoti për t’i shpallur dashurinë një roboti apo kompjuteri, me shpresën se ai mund të ketë ndjeshmërinë për të zgjedhur pastaj atë që e do më shumë, në varësi të shprehjeve të ndjenjës.

Në të gjitha rastet përfundimi do të ishte më keq se tek legjenda e Homerit, kur Polifemi i tha Odiseut se si shpërblim për nderin do ta hante atë të fundit, pasi të kishte mbaruar punë me gjithë të tjerët. Ndaj edhe sot do të mjaftonte një mbështetje e heshtur, pa por…dhe sigurisht pa kushte. Me krahë të lehta SPAK-ut!

Lajme te ngjashme