Home Aktualitet Vlerësimi për aftësinë e kufizuar, 6 komisione shumëdisiplinare për Tiranën

Vlerësimi për aftësinë e kufizuar, 6 komisione shumëdisiplinare për Tiranën

nga Albina Hoxhaj

Nga data 1 dhjetor, në të gjithë qarkun Tiranë do të kemi sistem të ri vlerësimi për aftësinë e kufizuar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar pikën e hapur në Dispancerinë e Tiranës, një nga 6 pikat ku janë ngritur komisionet shumëdisiplinare të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar, duke theksuar se do të ketë transparencë maksimale në përcaktimin e aftësisë për punë, apo siç njihet nga të gjithë si KEMPI, në mënyrë që pagesat e aftësisë së kufizuar të shkojnë për qytetarët që kanë vërtet nevojë.

“Nga data 1 dhjetor nis një vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar në të gjithë qarkun Tiranë, i cili parashikon vlerësimin e gjendjes së personit me aftësi të kufizuar, sipas shkallës së rëndesës, në mënyrë që ai person që është në gjendje më të rëndë të përfitojë më shumë nga pagesa që jep shteti për aftësinë e kufizuar. Në këtë vlerësim të ri, për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar transparencë do të vendoset një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve, të cilat do të jenë subjekt monitorimi dhe vlerësimi në çdo kohë”, – u shpreh Manastirliu gjatë vizitës në pikën e hapur tek Dispanceria.

Me vlerësimin e ri bio-psiko-social dhe hapjen e 6 komisioneve brenda qendrave shëndetësore, krijohen më shumë lehtësi për qytetarët që grupoheshin në një komision të vetëm.

“Me hapjen e gjashtë pikave, me 6 komisione vlerësimi, kemi reduktuar sorollatjet dhe kemi shkurtuar në maksimum kohën e aplikimeve. Dhe jo vetëm kaq, por me sistemin e ri të vlerësimit evitohet shtrimi i detyruar në spital për të marrë fletët e drejtimit”, – tha Manastirliu.

Duke theksuar se për të garantuar zbatueshmërinë me efektivitet të legjislacionit, pasi për herë të parë janë miratuar metodologji të reja kontrolli, Manastirliu tha se për të garantuar transparencë do të vendoset një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve.

Do të garantohet me sistemin e ri, e drejta e ezaurimit të të gjitha shkallëve të ankimimit, me një komision të veçantë i cili do të mblidhet në kohë reale, për qytetarët që pretendojnë se u është shkelur apo mohuar një e drejtë.

Manastirliu gjatë inspektimit në Dispancerinë në Tiranë përmendi disa nga risitë që sjell reforma e re për aftësinë e kufizuar.

“Kemi hequr kriterin e mospërfshirjes në vlerësim, të fëmijëve të grupmoshës 0-2 vjeç; pra sot në Tiranë do të përfshihen të gjithë fëmijët nga mosha 0-18 vjeç. Kemi hequr kufizimin e pagesës prej 75% për fëmijët, i kemi kthyer këto pagesa në 100% duke shmangur kështu diferencimin për shkak të moshës, si dhe duke patur parasysh që rreth 27% e përfituesve janë fëmijë 0-18 vjeç. Një tjetër risi e kësaj reforme është futja e konceptit të ndihmësit personal, i cili do të ofrojë asistencën për kujdesin personal për personin me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, hoqëm kufizimin ligjor të ndërprerjes së pagesës së aftësisë së kufizuar pas periudhës 4-vjeçare të punësimit”, – tha Manastirliu.

Gjashtë pikat e reja të komisionimit të ri bio-psiko-social do të jenë të hapura nga 1 dhjetori në Qendrën Shëndetësore 10/1, Qendrën e Zhvillimit Kombinat, tek Dispanceria, në Poliklinikën nr 1 (Iraniani), Poliklinikën nr 2 (Poliklinika Qendrore) dhe në Kavajë. Në të 6 pikat e reja pritet që të komisionohen rreth 8466 persona me aftësi të kufizuara dhe rreth 1244 persona tetraparaplegjikë.

Me buxhetin e ri 2020, pagesat e aftësisë së kufizuar do të financohen me 16.6 miliardë lekë, nga të cilat përfitojnë rreth 166 mijë përfitues.

Lajme te ngjashme