Taksat bashkiake, Financat sqarojnë: Ja kategoritë që nuk duhet të paguajnë

Read Time:3 Minute, 0 Second

Reforma territoriale ndër të tjera ka rritur pavarësinë e bashkive për të bërë politika fiskale. Mirëpo për shkak të kompleksitetit dhe karakteristikave të çdo bashkie, qytetarët shqiptare nuk janë të informuar për të drejtat që u jep legjislacioni në fuqi për të përfituar nga përjashtimet e taksave bashkiake.

Ministria e Financave në manualin për procedurat e administrimit fiskal në njësitë e vetëqeverisjes vendore ka sqaruar kategoritë e qytetarëve, bizneseve dhe OJF që përjashtohen nga pagesat e taksave vendore. Psh personat që kanë të ardhura nën minimumin jetik, sipas kritereve të përcaktuara në nivel kombëtar nuk duhet të paguajnë taksat mbi pasurinë e paluajtshme. Ja përjashtimet për secilën taksë:

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme

Me vendim të Këshillit Bashkiak, sipas rregullave të përbashkëta, miratohet përjashtimi nga detyrimi për këtë taksë për:

  • Personat që kanë të ardhura nën minimumin jetik, sipas kritereve të përcaktuara në nivel kombëtar;
  • Taksapaguesit që i është dëmtuar prona nga veprimi i forcave madhore. Në raport me dëmin e shkaktuar, taksapaguesi përjashtohet deri në 75% të taksës. Vlen të përmendet se përjashtimi është i përkohshëm dhe kohëzgjatja mbetet të përcaktohet po me vendim të Këshillit Bashkiak.

Taksa mbi ndërtesat

Përjashtohen nga kjo taksë:

  • Pronat e shtetit dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore, përdorimi i të cilave bëhet vetëm për qëllime jofitimprurëse;
  • Pasuritë në pronësi të shtetit nën administrimin e shoqërive publike shtetërore; Ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
  • Banesat sociale në pronësi të bashkive, si dhe ato në pronësi të subjekteve juridike apo fizike, që, në bazë të marrëveshjeve me bashkitë, përdoren si banesa sociale;
  • Ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare në funksion të veprimtarisë së tyre;
  • Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me 4 dhe 5 yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht si “brand name”;
  • Ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetëm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;
  • Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike;
  • Ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore, të cilat përdoren vetëm për qëllime jofitimprurëse.

Taksa mbi tokën bujqësore

Përjashtohen të gjitha tokat bujqësore për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes me kultura drufrutor dhe vreshtari.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë

Përjashtohen nga kjo taksë:

  • investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status “special”2 , që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht si “brand name”;
  • investimet e subjekteve, që zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuarsi“agroturizëm”3 .

 Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme

Përjashtohen nga kjo taksë:

  • Enti Kombëtar i Banesave, Ministria e Financave dhe njësitë e vetëqeverisje vendore e qendrore;
  • Personat që janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat vetjake ;
  • Subjektet që dhurojnë pasuri të paluajtshme, kur përfitues të drejtpërdrejtë janë institucionet dhe entet shtetërore e publike, qendrore e vendore;
  • Bashkësitë fetare ose organizatat jofitimprurëse, kur dhurimi lidhet me atë pjesë të veprimtarisë së tyre pa qëllim fitimi. Në këto raste, dhuruesi, pasi ka marrë vërtetimin nga Këshilli Bashkiak që është i përjashtuar nga taksa, bën regjistrimin e pasurisë së paluajtshme të dhuruar. Në çastin e regjistrimit, dhuruesi i paguan agjentit të taksave pjesën që i takon.

Taksat e përkohshme vendore

Përjashtohen nga të gjitha taksat me karakter të përkohshëm antenat e telefonisë celulare, si dhe çdo antenë tjetër transmetimi. /monitor/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Thellohet gropa në buxhet, për 10 mujorin financave u mungojnë 91 mln euro, bie TVSH; Gati Akti Normativ 2
Next post Shkarkimi i Metës/ Sot në orën 11:00 mblidhet Komisioni Hetimor për konkluzionet e hetimit