Home Aktualitet Patericizmi rilindas

Patericizmi rilindas

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Kjo kriza jonë politike ka edhe një aspekt disi atipik, “blerjen” e heshtjes apo të miratimit proqeveritar nga disa diplomatë të atashuar në Shqipëri, apo nga disa ekspertë të huaj. Disa prej tyre kanë mbajtur qëndrime aspak korrekte në raport me detyrën, duke shërbyer thjesht si patericë e një kaste që ka kapur shtetin dhe që ka bërë zullume pa fund.

Heshtja më e madhe ka të bëjë me kanabizimin e vendit, ku provat janë pa fund që ishte e dirigjuar dhe e mbrojtur nga segmente të forcave të rendit në bashkëpunim me krimin dhe me mburojë politike. Por, disa prej ambasadorëve të përfaqësive të rëndësishme në vendin tonë heshtën, heshtën edhe kur tonelatat e drogës kapeshin në vendet e BE-së. Thua nuk e dinin, nuk kishin informacion?! Droga prodhonte shumë para dhe paratë ishin në gjendje të mbyllnin sy, veshë e gojë.

Heshtja apo mbështetja ka të bëjë me aferat korruptive, disa prej të cilave nuk u denoncuan kurrë prej tyre. Heshtje diplomatike apo “punë me qeverinë”?!
Reforma në drejtësi, ku institucione të caktuara ndërkombëtare jepnin asistencë çuan në zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, e cila nuk është as përkohësisht në Kushtetutë. Disa prej tyre heshtën karshi zhbërjes së organeve të drejtësisë ndërkohë që ishin betuar se nuk do të ndodhë. Nën hundën e tyre tentohet kapja e GjK nga mazhoranca dhe ata heshtin.

Asnjëherë nuk kam menduar se fajin na e kanë të huajt, madje besoj se buron kryesisht brenda nesh, por zhgënjehem kur ata bëhen pjesë e padrejtësisë në këtë vend, kur nuk mbajnë qëndrimet e duhura dhe kur bëhen më keq se ne. Ata përfaqësojnë atë ku ne duam të shkojmë dhe ne thujase me naivitet nuk peshojmë kurrë qëndrimet e tyre, duke i marrë apriori si rrugën e drejtë. Për hir të vërtetës ata u bënë patericë e mazhorancës aktuale dhe ranë në shtrat me djallin. Jo të gjithë kuptohet.

E ku kishte më të shëmtuar se njē diplomat që diskuton dekretet e institucioneve tona, që mban anën e zgjedhjeve monopartiake?! Që pranon për ne atë që nuk e pranon për vete, për vendin e tij. E ku kishte më shëmtuar se tu ngrejë gishtin hallexheshave një diplomat?! Madje vazhdon paturpësisht detyrën. Ata ikin e vijnë, kurse ne mbesim këtu. Detyrimisht as ju dhemb gjë dhe as i bren ndërgjegja!

E në fund, që mos të na marrin të tjerët nëpër këmbë duhet shporrur dreqi që i ushqen!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!