Home Aktualitet Tre dimra për një gënjeshtër

Tre dimra për një gënjeshtër

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Kaluan tre vite që Reforma në drejtësi ka filluar dhe vendi është ende pa gjykatën më të rëndësishme, atë Kushtetuese. Tashmë janë përzgjedhur 4 emra, dy nga Presidenca dhe dy nga Parlamenti, duke e çuar numrin në pesë të anëtarëve të GJ.K. Por, kjo ka sjellë një përplasje institucionale, për shkak të djallëzisë së Ramës dhe mekanizmit të tij në KED, Dvorani, të cilët bënë përpjekjen e parë të kapjes së Gjykatës Kushtetuese me emërimin e Znj. Vorpsi. E pra, tre dimra për një gënjeshtër, për një përpjekje për kapje të institucionit. E gjitha kjo hasi në kundërshtimin e Presidentit të Republikës, i cili jo vetëm që e kundërshtoi, por do ta denoncojë edhe në organin e akuzës në fillim të javës së ardhshme.

Nëse dikush ka menduar që reforma është e pakapshme, e ka pasur gabim. Madje togfjalëshi i Ramës “në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, nuk mjafton për të justifikuar veprimet që synonin kapjen e gjykatës. Askush nga partnerët e rëndësishëm të Shqipërisë nuk mund të pajtohet me kapjen e sistemit të drejtësisë, në asnjë rrethanë dhe nga askush. Të gjithë presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda ligjit. Pavarësisht nga ekspertë apo diplomatë që kanë mbajtur qëndrime personale (ndonjëherë jokorrekte) gjatë këtij rrugëtimi, kjo nuk e deformon vullnetin e vendeve që ata përfaqësojnë.

Dy dimra u shpenzuan për të krijuar KED, një dimër për të bërë lista vakance copy-paste për Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj fillon loja me procedura për të realizuar kapjen. Gënjeshtra dhe manipulimet po zbardhen. Ky do të jetë dimri i fundit pa Gjykatë Kushtetuese, të cilën e presin vendime të rëndësishme që mund të korrigjojnë gabime të bëra gjatë këtyre viteve, duke kontribuar në zgjidhjen e krizës politike.

Shumë energji, konflikt institucional, shumë para dhe kohë e harxhuar, në funksion të pushtetit të një individi dhe të një kaste që e mbështet, në funksion të një pushteti autokratik, ku kapja e Gjykatës Kushtetuese përbënte një nga hallkat fundore të pushtetit të pakufijshëm. Dimrat ikin dhe ne kemi ndijesinë se po jetojmë një dimër të gjatë, ndoshta një nga më të këqinjtë e atyre që kemi jetuar. Kjo tentativë kapje mund të dështojë jo vetëm nga kundërshtimi i institucionit të Presidencës, por edhe nga krijimi i një blloku qytetar kundër kapjes së institucioneve të drejtësisë dhe kundër autokracisë. Demokracia dhe shteti ligjor janë në rrezik, ndaj duhet që të gjithë të bashkohen dhe ti thonë jo këtij tentimi.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!