Home Aktualitet Për kryeberberin Rama

Për kryeberberin Rama

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ditëve të fundit është përdorur metafora e berberanës, sepse kështu u kandisën institucionet shqiptare, përderisa një KomIsion Zgjedhor apo Kolegj Zgjedhor shqyrton një dekret Presidenti, apo derisa një institucion si KED shndërrohet nga një institucion seleksionues në institucion emërimi, derisa një kandidate për Gjykatë Kushtetuese betohet te noteri i lagjes, derisa bëhet ligj për të prishur një objekt publik si Teatri Kombëtar apo një Korporatë qeveritare për të menaxhuar tokat apo investimet publike. Raste të tilla ka pa fund dhe kupton se sa e madhe është marrëzia e kapjes së institucioneve, nga një dorë, aq sa i fut ato në një qorrsokak dhe i bën qesharakë, aq sa më shumë i ngjajnë një berberane ku konsumohen qimet e tepërta dhe ndonjë thashethem.

Tashmë institucionet kanë dalë jashtë kornizave të funksionimit ligjor, të normave dhe rregullave dhe kjo vetëm sepse ato kanë filluar të drejtohen me orekset dhe shijet e Ramës, apo të njerëzve që i rrinë atij rrotull. Kjo i ka shndërruar ato, përfshirë dhe institucionet e reja të drejtësisë, që të përfshihen në qëndrime që janë në shkelje të kushtetutës dhe të ligjeve. Kot nuk thonë se një dru i shtrembur mund të prishë gjithë stivën. Qytetarët e thjeshtë që kundrojnë gjithë këtë batërdi institucionale, po mendojnë se me të vërtetë ky vend po duket gjithmonë e më i pashpresë. Ata presin zgjidhje për hallet e tyre, por në fakt marrin pas vetëm gërr-vërret e një mazhorance anti-institucionale. Në fund të ditës, ata bëjnë edhe rolin e qeveritarëve të ndershëm, të përkushtuar, të preokupuar për fatet e vendit. Qesharakë deri në marrëzi.

Propaganda e tyre, e organizuar si trupa pararojë në shumë media, punon që marrëzia të duket institucionale, kurse të tjerët që nuk janë dakord me ta të shpallen armiq të perëndimit, të cilin e përdorin si mburojë. Budallallëk me okë, që perëndimi të futet në një thes me berberët e Ramës dhe të jetë kundër atyre që duan institucione funksionale, të pavarura dhe që mbështeten në ligj. Nga mëngjesi deri në darkë përpiqen të bindin se opozita e ka fajin, se Presidenti u del kundër, se Saliu, Basha, Monika…, të gjithë janë ata që u prishin punë shqiptarëve. Gënjejnë aq shumë sa kanë filluar të besojnë gënjeshtrat e tyre, kurse njerëzit e thjeshtë duken të çoroditur. E gjitha kjo që Pashai mjekërmadh Rama, të ketë çdo gjë në dorë, të bëjë si të dojë dhe kur të dojë. Madje sipas zërave në PS, berberit të tij i ka thënë të mos i shkurtojë as mjekrën.

Teksa takon qytetarët të thonë me plot gojë se nuk ka qenë kurrë më keq, se berberanat e shtetit të rruajnë e të qethin për vete dhe xhepat e tyre. Disa ikin, të tjerët heshtin, sepse nuk kanë ku të gjejnë të drejtën, se Kryeberberi Rama kontrollon çdo gjë. Ai e di si duhet bërë, kur duhet bërë, kë të nxjerrë nga shtëpitë, kë të dëmshpërblejë, kujt ti japë subvencione, kush do të futet në punë, kush e çka duhet bërë, e plot të tjera si këto.
Prandaj duhet mbështetur çdo zë kundër kësaj rrumpalle, kundër institucioneve pa dinjitet, të qethura shkurt nga Kryeberberi, të cilit i ka mbaruar moralisht mandati dhe mezi pritet që shqiptarët ta nxjerrin jashtë politikës me votë, sepse të gjithë ndihen se në vitet e kësaj qeverie kanë dalë si rrojtur qethur!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!