Home Aktualitet Shkapja… ky është parimi!

Shkapja… ky është parimi!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Gjykata më e rëndësishme e vendit, ajo Kushtetuese, po tentohet të kapet nga mazhoranca. Kjo po realizohet duke u spërdredhur nëpër procedura dhe në qëndrimet e KED-së. Madje sot kishim edhe një situatë groteske, ku një Gjyqtare, e papërzgjedhur nga Presidenti, por e emëruar nga procedurat interpretuara sipas qejfit, shkon dhe betohet para një Noteri. Mazhoranca jo vetëm që e mbështet këtë qëndrim, por nesër thërret një seanë të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit, për ta shqytuar sipas saj aktin e Presidentit.

Reforma në drejtësi kishte dy qëllime kryesore: pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të paaftët dhe të korruptuarit, si dhe shkapjen e saj nga politika. Opozita nuk është askund dhe nuk mund të kapë asgjë, Presidenti ka vetëm të drejtë të përzgjedhë tre emra në Gjykatën Kushtetuese, por edhe ato duan t’ia marrin me akrobacira, kurse mazhoranca me kartonët e saj dhe me mekanizmat herë rastësorë, herë jashtë kritereve, herë si do vetë, po tenton të kapë sistemin e ri të drejtësisë. Mazhoranca duket e pafre në kapjen e gjithë pushteteve, sepse zullumet të bëjnë të zhytesh deri në fyt në palaçollëk, në mënyrë që të mbrosh veten.

Por a është kjo një aventurë e rrezikshme? Po! Sepse “të kapurit” ndërrojnë padron shpejt dhe sot i shërbejnë një mazhorance, kurse më pas asaj të radhës. Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është garanci për të gjitha palët, si kur janë në pushtet, ashtu edhe kur nuk janë. Kali i shaluar sot, mund të të hedhë më pas në rrugë e të thyesh zverkun. Ndaj duhet ndjekur llogjika e ligjit dhe duhet zbatuar ai, përndryshe jemi në kushtet e amoralitetit dhe paligjshmërisë. Ata që thonë dhe përbetohen se e kanë për synim realizimin e reformës në drejtësi nuk duhet të bëjnë vetëm propagandë me të, por duhet të dëshmojnë që nuk kanë aspak për qëllim që të kapin sistemin. Pavarësia e tij është themelore.

Djallëzia me Kushtetuesen është e lidhur me dosjet që presin të gjykohen prej saj, si ajo e shkarkimit të mundëshëm të Presidentit të Republikës nga Kuvendi, dekreti i zgjedhjeve dhe vlefshmëria e votimeve të pushtetit vendor, ligji për Teatrin Kombëtar, e shumë të tjera. Kapja e këtij institucioni do të thoshte përfundimisht dorëzim i shtetit te një grup njerëzish dhe shpartallimi i demokracisë, i ndarjes së pushteteve dhe cënim i të drejtave e lirive të qytetarëve. Djajtë janë zgjidhur dhe po përpiqen të kapin çdo gjë. Rreziku është i madh për vitet që vijnë dhe fatet e vendit. Këtu nuk është fjala për një njeri apo për një post, por për pavarësinë e institucioneve.

Ata që po gatisin kapjen e kanë menduar hollë, ata që po i mbështesin jo gjithmonë po mbajnë qëndrimet e duhura, ndaj sot më shumë se kurrë duhet reaguar sepse nesër mund të mos kemi ku të trokasim për të drejtat tona. Shqipëria po rrëshqet në një terren të minuar! Kjo duhet ndalur…

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!