Home Aktualitet BSH: Goditjet e ofertës do ngadalësojnë ekonominë në 2019, më pas pritet përmirësim

BSH: Goditjet e ofertës do ngadalësojnë ekonominë në 2019, më pas pritet përmirësim

nga Albina Hoxhaj

Pas një ngadalësimi në 2019-n, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në afatin e mesëm, parashikon Banka e Shqipërisë. Ekspertët e saj kanë prezantuar sot raportin e Politikës Monetare të tremujorit të katërt 2019.

Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trend pozitiv rritjeje gjatë horizontit afatmesëm. Goditjet e ofertës pritet të sjellin ngadalësimin e përkohshëm të ritmeve të rritjes ekonomike në vitin 2019. Më tej, kushtet e favorshme të financimit, përmirësimi i bilanceve të agjentëve ekonomikë dhe përmirësimi në tregun e punës pritet të sjellin një rritje më të shpejtë të kërkesës agregate dhe përdorimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Konvergimi i ekonomisë drejt ekuilibrit pritet të shoqërohet me rritje më të lartë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Së bashku me stabilizimin e pritur të kursit nominal të këmbimit, ato do të ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Në përputhje me këto parashikime, qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare do të jetë e nevojshme përgjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm. Normalizimi i politikës monetare do të fillojë vetëm në prani të konsolidimit të trendeve pozitive të zhvillimit dhe të forcimit të qëndrueshëm të presioneve inflacioniste, por jo më herët se tremujori i dytë i vitit të ardhshëm.

– Informacioni i ri sinjalizon se rreziqet e kahut të poshtëm vijojnë të jenë të pranishme si në mjedisin e jashtëm ekonomik ashtu edhe atë të brendshëm. Materializmi i tyre do të pengonte kthimin e inflacionit në objektiv, duke kërkuar reagimin e bankës qendrore.

Zgjerimi i vëllimit të aktivitetit ekonomik ka pasqyruar kostot e ulëta të financimit të konsumit dhe investimeve, bilancet e përmirësuara të agjentëve ekonomikë, si dhe rritjen e  të ardhurave nga aktiviteti i turizmit.

Ambienti i brendshëm financiar paraqitet stimulues, në përgjigje të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Ecuria e kursit të këmbimit shfaqet relativisht e stabilizuar, primet e rrezikut në tregjet financiare janë të ulëta, gjendja e likuiditetit është e kënaqshme dhe normat e interesit të instrumenteve të financimit në lekë, qëndrojnë pranë niveleve minimale.

Kredia për sektorin privat përshpejtoi ritmin e rritjes në tremujorin e tretë, e ndikuar si nga zgjerimi i kërkesës. ashtu dhe përmirësimi i ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit, pasqyron përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar dhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar. Nga pikëpamja e kompozimit, përshpejtimi i ritmit të rritjes së kredisë ka pasur një bazë të gjerë.

Banka e Shqipërisë pohon se gjatë periudhës, u punua për finalizimin e treguesve të rinj që sinjalizojnë zhvillimin e rreziqeve sistemike, në përputhje me objektivat e ndërmjetëm të politikës makroprudenciale.

Gjithashtu u konsultua me industrinë bankare dhe publikun, projekti rregullativ për ndërtimin e kuadrit që mundëson zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit në veprimtarinë bankare. Këto dokumente do t’i paraqiten së afërmi për shqyrtim Këshillit Mbikëqyrës

BSH ka ndërmarrë disa masa për fuqizimin e përdorimit të lekut në veprimtarinë bankare. Këto masa hynë në fuqi të plota gjatë përiudhës (korrik 2018)

Në përputhje me angazhimet e marra në Memorandumin përkatës ndërinstitucional, BSH ka identifikuar dhe monitoron disa tregues për të vlerësuar efektin e masave dhe nevojën për rishikimin e pasurimin e tyre.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!