Home Aktualitet Duke kërkuar një kryeprokuror…

Duke kërkuar një kryeprokuror…

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Dalja e kandidatëve për Kryeprokuror të Përgjithshëm para KLP-së, na dha mundësinë të dëgjojmë disa të vërteta lidhur me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të cilat i nënvizuan së paku dy prej tyre, Znj.Memçaj dhe Z.Çela. Ata folën për atë që duket thembra e Akilit të organit të akuzës shqiptare që është padrejtësia, dënimi i të dobtëve dhe mosdënimi i personave me pushtet apo me influencë. Kjo e ka bërë drejtësinë të duket e padrejtë dhe njëkohësisht ka sjellë probleme të mëdha në luftimin e fenomeneve të krimit, të krimit të organizuar, të trafiqeve dhe posaçërisht në luftimin e korrupsionit në nivele të larta.

Të gjithë e kemi ditur këtë dhe madje është denoncuar fuqimisht, fjalimi i tyre dukej si një përmbledhje e konstatimeve të shumicës së njerëzve të thjeshtë. Kjo kontrastonte me fjalën e Znj.Marku, e cila ka pasur dy vite në dispozicion në krye të organit të akuzës për ta dëshmuar vullnetin e saj në raport me parimin se para ligjit janë të gjithë të barabartë, por nuk e ka bërë. Ndaj deklarimi i saj stononte karshi dy kandidatëve të tjerë. Ajo u përpoq të justifikonte qëndrimet e saj dhe pavarësinë e saj nga politika në vendimmarrje duke sjellë si shembull rasti Kajmaku, por ky rast erdhi deri në dyert e Prokurorisë nga denoncimet e opozitës.

Pavarësia e Kryeprokurorëve është esenciale në punën e tyre dhe unë nuk mund ta çmoj këtë nga fjalët e dy kandidatëve të tjerë dhe as nga CV-të e tyre, sepse mendoj që pavarësia dëshmohet vetëm me qëndrime dhe me aktet kur je në detyrë. Për dallim nga Znj. Marku, e cila e ka humbur këtë rast sepse ka dëshmuar të kundërtën. Shembulli që ajo dha nuk dëshmon asgjë. Ndaj së paku njëra nga kandidatet, Znj.Marku, duket më pak e avantazhuar në sytë e atyre që duan një institucion të pavarur.

Unë nuk besoj shumë në këtë garë, sepse nuk besoj në mënyrën si është ndërtuar KLP dhe as në vullnetin e mazhorancës për të zgjedhur një Kryeprokuror të pavaruar. Ndaj them se kjo garë duhet ndjekur se është një gur prove për KLP-në, nga mënyra se si do të renditë kandidatët, kurse për Parlamentin nga mënyra si do të votojë. Ne jemi duke kërkuar një Kryeprokuror të drejtë dhe të pavarur, kurse ata që qeverisin një Kryepokuror për vete. Duhet të presim edhe disa ditë për ta kuptuar rezultatin. Kjo është një sfidë, për një reform që deri tani ka prodhuar pak ose aspak.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!