Home Bota Macron bëri bashkë Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiçin në Paris

Macron bëri bashkë Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiçin në Paris

nga Albina Hoxhaj

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një komunikate se “Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e qëndrueshëmri në tërë rajonin e Ballkanit”.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi kërkesën e Serbisë për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kusht për rifillimin e bisedimeve të pezulluara tash ë një vit me radhë.

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, ku ende po vazhdon procesi i numërimit e rinumërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Shtetet e Bashkuara nëpërmjet të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë – Serbi, Mathew Palmer dhe Richard Grenell janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme te ngjashme