Home Aktualitet Për “barazuesit”…

Për “barazuesit”…

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Në Shqipëri ka një kategori njerëzish që kur nuk bëjnë dot gol, mjaftohen me rrjeta të paprekura. Po e shtjelloj, kur nuk duan të duken se mbajnë një anë, fillojnë dhe venë shenjën e barazimit midis pushtetit të sotëm, të djeshëm dhe të nesërm. Ndryshe do ti quaja edhe alibistët e Ramës. Këta thonë se ky, Rama, ka bërë keq por edhe të djeshmit ishin keq, madje kanë aftësinë të parashikojnë edhe të nesërmen. Në fakt, pushteti i sotëm, nuk mund të justifikohet me asgjë, për nga ajo që po zhvillohet në vend. Më keq nuk ka si të jetë në të gjitha aspektet.

Barazuesit kanë edhe një veti, sapo ndodh diçka jo normale ose në shkelje të të drejtave të qytetarëve, fillojnë dhe racionalizojnë duke thënë “ku është opozita”, në vend që të demaskojnë atë që bën pushteti. Barazuesit janë shpesh tipa luajalë me pushtetin, mediatikë, pseudo të pavarur ose thjesht shërbëtorë oborri me petk intelektual. Këta dalin kudo dhe në vend që të mbajnë qëndrime kritike ndaj atyre që kanë diçka në dorë, qahen për ata që kanë çelsat e kashtës. Pështjellimin e bëjnë të madh. I shkreti njeri, i mbytur në hallë nuk di kujt ti besojë dhe fillon mendon se ndoshta qeveria nuk është aq e keqe, kursa Rama i duket si shtetndërtues. Bah!

Barazuesit janë shtuar shumë, disa për qejf dhe disa të mirëpaguar. Ata janë pararoja e propagandës së qeverisë dhe të KM. Ata me dinakëri ngrenë supozimet e tyre, të cila kanë një qëllim, të keqin e bëjnë njësh me atë që nuk ka bërë asgjë. Vlerat morale të tyre nuk bëjnë dallim ndërmjet fenomeneve të këqija të vendit. Për ata është shumë e rëndësishme të duken qytetarë, patriotë, kozmopolitë dhe posaçërisht të pavarur politikisht. Barazuesit janë një lloj specie Anti-Kadri nëse do të huazoja emërtimin e Ramës për kritikët e tij (që i quante Kadri).

Unë nuk gjeta dot një fjalë më të butë për ti përshkruar ata, sepse më duhej të isha i kujdeshshëm me atë pjesë që e bën këtë pa dashje, mbase nga kultura e mangët politike apo thjesht nga mllefi. Kurse ata që e bëjnë qëllimisht do ti quaja agjitatorë të regjimit. Pushteti i delegohet dikujt për shërbesë dhe jo që ta përdorë për të nënshtuar ata që zgjodhën. Anti-Kadrinjtë i përbuz, jo sepse kanë një qëndrim kritik ndaj të gjitha qeverisjeve, por sepse shuajnë shpresën për ndryshim të këtij vendi duke i futur në një thes të gjithë. Ndoshta poiltika jonë me dështimet e njëpasnjëshme ka prodhuar vetvetiu barazimin, por gjykimi ka vlerë për të djeshmen dhe të sotmen, jo për të nesërmen.

Duke qenë optimist nga natyra, besoj në ndryshimin pozitiv dhe nuk do të doja të paragjykoja ndryshimin pa ndodhur, pa u provuar. Të barazosh të sotmen me të nesërmen, do të thotë të mbrosh stanjacionin dhe të shtosh dëshpërimin. Kurajo bashkëqytetarë, denonconi të keqen dhe mbështesni ndryshimin, pa i bërë temena pushtetit grabitqar. Kështu mund ti shërbeni vetes, familjes tuaj dhe vendit!

Lajme te ngjashme